Klubi i mendimit ekonomik

Zhvillimi i sektorit detar, Norvegjia jep me 1.4 milionë euro

1.4 milionë euro do të jepen nga Norvegjia, për zhvillimin e sektorit detar në Shqipëri.

Këto para do të jepen në kuadër të projektit “Zhvillimi i sektorit detar” i cili u prezantua sot në Tiranë, financohet nga Qeveria e Norvegjisë dhe zbatohet nga PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti synon rritjen e integrimit të Standardeve Detare Shqiptare në përputhje me kritere e BE-së përmes krijimit të një kuadri politikash të transportit detar.

Gjithashtu, qeveria e Norvegjisë mbështet edhe një tjetër projekt të dytë me përfitues Universitetin e Vlorës dhe atë të Durrësit, me fokus edukimin dhe programet e studimit në lidhje me transportin detar. Të dy projektet mundësohen në sajë të mbështetjes me rreth 1.4 milion euro nga qeveria e Norvegjisë.

Objektivat kryesore të projektit janë fuqizimi i kuadrit rregullator detar në përputhje me praktikën ndërkombëtare detare dhe kriteret legjislative të BE-së; fuqizimi i kapacitetit institucional për të harmonizuar standardet dhe rregulloret përmes programeve të trajnimit dhe të shkëmbimit, si dhe rritja e përpjekjeve të qeverisë për të promovuar krijimin e grupimeve detare dhe koordinimin ndërmjet tyre.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se “Praktikisht ky fond, kjo mbështetje financiare nga qeveria norvegjeze do të mundësojë fillimin e reformimit të këtij sektori, krijimin edhe të dijeve të nevojshme nëpërmjet bashkëpunimit me universitetin e Vlorës. Kryesisht Shqipëria ka qenë e fokusuar tek investimet në infrastrukturën portuale dhe këtu ka progres, janë bërë investime.

Së fundi jemi dëshmitarë të investimeve që po bëhen në portin e Vlorës. Shumë shpejt do të fillojë edhe një investim i rëndësishëm për funksionimin e portit të Durrësit siç është thellimi i portit të Durrësit, që ka qenë një problem prej shumë vitesh dhe që ka ulur kapacitetet e përpunimit të portit të Durrësit.

Nga ana tjetër kemi fituar një grant nga Bashkimit Europian, nëpërmjet ËBIF dhe shumë shpejt do të kemi edhe financimin për investime kapitale, zgjerimin e infrastrukturës së portit të Durrësit” ka deklaruar ai.

Projekti do të përfitojë nga përvoja norvegjeze, si një prej vendeve udhëheqëse në sektorin detar në Evropë dhe më gjerë.

Sektori detar ka pasur rritje të konsiderueshme vitet e fundit, dhe mbetet një burim për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Të dhënat mbështetëse të INSTAT-it tregojnë se në vitin 2017, krahasuar me 2016-n, vëllimi i kargove të ngarkuara dhe shkarkuara në portet e Shqipërisë është rritur me 7,1%, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjat detare është rritur me 16,9%, mallrat e transportuara në rrugë detare zënë 62,8% të totalit të transportit si dhe mallrat e importuara në rrugë detare zënë 48.6 %.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet