Klubi i mendimit ekonomik

Zhdukja e bletëve, Peleshi: Kam urdhëruar ndalimin e 6 pesticideve, ja cilat janë

Flutura Tota, Ekonomix.al

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural ka vendosur që të ndalojë futjen në Shqipëri të 6 llojesh pesticideve, të cilët ndikojnë në dëmtimin, reduktimin dhe zhdukjen e bletëve.

Lajmin e ka bërë të ditur, ministri Niko Peleshi, teksa ka takuar bletarët nga Lezha ku ka deklaruar, se përdorimi i këtyre pesticideve nuk është shqetësim vetëm për bletarët shqiptarë, por edhe ata të vendeve të tjera.

Ndaj, Peleshi tha, se Shqipëria i është bashkuar shumë vendeve të tjera të cilat kanë vendosur  të nënshkruajë vendimin e Bashkimit Evropian, duke e kthyer në akt ligjor për mbrojtjen e bletëve.

“Unë kam kërkuar dhe udhëzuar të bëjmë realitet, këtu e kam urdhrin, le t’i bashkohemi një vendimi të Komisionit Europian të para pak ditëve lidhur me ndalimin dhe përdorimin e disa pesticideve, që sipas studimeve të zhvilluara nga ekspertët europianë, janë nga shkaqet kryesore të demtimit, të zhdukjes apo reduktimit të kolonive të bletëve në Europë.

Ne ndalojmë përdorimin e këtyre 6 lëndëve veprurëse, sipas studimeve të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian mendohet se janë dëmtuesit kryesorë të bletëve.  Siç e thashë, dhe siç e dini më mirë se unë, ky është shqetësim jo vetëm shqiptar, është mbarëbotëror.”

Sipas Peleshit, bëhet fjalë për pesticidet: Fenazaquin, Bifenthrin, Neonicotinidet: Clothianidin, thiamethoxam dhe imidacloprid.

Nga ana tjetër, Peleshi ka përgëzuar bletarët shqiptarë, të cilët janë të organizuar në shoqatë, por ka dhe shumë bletarë të tjerë, të cilët janë të vegjël dhe kanë nevojë për mbështeje, këshillimi dhe informim në lidhje me të rejat e fundit.

Po ashtu, ai ka premtuar mbështetje me analiza, laboratorë dhe me subvencione.

Sipas tij, ky sektor do të marrë nga Skema Kombëtare, me 10 mijë lekë për koshere. Të gjithë aplikuesit pothuajse kanë dalë fitues.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet