Klubi i mendimit ekonomik

Viktimat e minierave, Nikollaj: RISHMI dhe Inspektoriati i Punës, inekzistente

Flutura Tota, Ekonomix.al

Galeritë e minierave në Shqipëri mbeten një “Minë me sahat”, ku Inspektoriati i Punës dhe RISHMI janë totalisht inekzistentë, për të ndryshuar situatën si në infrastrukturën e brendshme në galeri ashtu edhe detyrimin e kompanive që të punësojnë punëtorë të kualifikuar.

I këtij mendimi është kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, i cili në një intervistë të dhënë për Ekonomix.al, thotë se këto dy institucione, duhet të marin masa urgjente, pasi vetëm në 5 muajt e parë të këtij vitit në galeritë e vendit kanë humbur jetën 7 persona.

“Së pari duhet ndërhyrë tek Inspektoriati i Punës i cili duhet të bëjë kthesë rrënjësore në këtë fushë. Një Inspektoriat me 95 inspektorë dhe me tre automjete lëvizëse, është qesharake të mendojmë se kontrollon dhe mbikqyr gjithë subjektet punuese në gjithë territorin e vendit. Pa folur pastaj për minierat që ky inspektoriat në sajë të hantikapit ligjor nuk futet brënda në minierë për kontroll e as për inspektim.

Ketë detyrim ligjor i’a kalojnë gjoja RISHMI-t që është axhenci tjetër shtetërore që ka funksion kontrollin e sigurisë teknike në miniera si axhenci e specializuar dhe jo kushtet e punës së punonjësve në tërësi. Këto dy institucione shtetërore kështu të ndara nuk kryejnë asnjëra funksionin e vërtetë, atë të evidentimit dhe parandalimit të rreziqeve në miniera në tërësi dhe rrezikun e jetës në veçanti.

Prandaj, urgjent këtu duhet ndërhyrje ligjore dhe sigurisht forcim kapacitetesh njerëzore, pasi në 95 inspektorët e punës asnjëri nuk është specialist i fushës se minierave” deklaron Nikolla.

Për Nikollën,  situata në minierat e vendit është shumë e rëndë, ku nuk janë bërë investime për perspektivën e kësaj industrie, por vetëm kanë e shfrytëzuar atë.

Nikolla sjell edhe shembuj konkretë, si Zona D në minierën e Bulqizës, e cila është totalisht janë çdo kontrolli.

“Sektori i minierave gjatë gjithë kohës së tranzicionit, ka qenë dhe vazhdon të jetë sektori më i goditur. Ai nuk ka pësuar zhvillim dhe rinovim teknologjik. Investimet e kryera nuk kanë pasur qëllim zhvillimin dhe përparimin e kësaj industrie, por vetëm kanë qenë në funksion të fitimit. Të gjitha qeveritë e radhës nuk kanë shfaqur interes, as nuk kanë treguar vizion për perspektivën e kesaj industrie.

Mënyra e fragmentarizuar e licensimit ka qenë mënyra më e gabuar, pa folur këtu për korrupsionin në dhënien dhe kontrollin e licensimit. Informaliteti me sektorin minerar ka qenë dhe mbetet i frikshëm, sidomos në minierat e vogla dhe ato në zona të thella rurale.

Njëkohësisht, strukturat dhe axhencitë ligjzbatuese të shtetit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pothuaj inekzistente. Pushteti vendor pavarësisht detyrimeve ligjore, është tërësisht i pa aftë të ndikojë në kontrollin dhe mirfunksionimin e tyre.

Të vetmit zëra të ngritur në favor të minierave dhe minatorëve kanë qenë disa zëra të veçuar të disa organizateve civile dhe Konfederata e Sindikatave, e cila që nga viti 2011 e deri tani nuk ka pushuar së kërkuari kushte pune, siguri në pune, paga dinjitoze, hapje perspektive në kërkim dhe zbulim, përpunim të produktit brenda vendit etj.

Vazhdimisht KSSH-a ka paralajmëruar për tragjeditë e radhës, por si gjithmonë fajin e kanë marrë viktimat. Sjell në vëmendje Zonën D të Bulqizës, e cila është një “minë me sahat” në prag shpërthimi, pasi është shfrytëzuar e vazhdon të shfrytëzohet në mënyrën më barbare të mundeshme.

Vazhdon të jetë shqetësues shfrytëzimi pa licensim i minierave të braktisura, të cilat duhet t’i nënshtrohen një rregjimi të rreptë teknik të mbylljes, jo të lihen në mëshirë të fatit”.

Sipas Nikollës, bilanci i viktimave në galeritë e vendit është shumë i lartë, ku aksidentet në miniera vijnë fill pas aksidenteve në rrugët e vednit. Ai thekson, se që nga viti 1992 në të gjithë vendin kanë humbur jetën mbi 400 minatorë, ku shprehet se ligjet në vend janë të bukura, por nuk zbatohen edhe në rastin e sektorit të minierave.

“Ne kemi një ligj të praueshëm, të adaptuar me rregullat dhe standartet e BE, për Sigurinë dhe Shëndetin në punë.Mirëpo problem mbetet zbatimi i tij. Ky ligj i jep prioritet parandalimit të aksidenteve, mirëpo fatkeqësisht në miniera këto kanë qenë të shumta.

Vetëm në vitin 2018 keni të evidentuara 7 raste me humje jete. Ndërsa që nga viti 2013, kur u bë dhe rrotacioni politik kemi të evidentuara 43 raste me humje jete në miniera. Po të shkojmë më tej, që nga viti 1992 e deri tani mbi 400 raste me humje jetë nga punonjësit e minierave. Shifra këto të tmerrshme. Për nga bilanci besoj se janë në vend të dytë pas aksidenteve të ndodhura në rrugët e vendit tonë.

I pyetur, se cilat janë zonat më problematike të industrisë së minerave, Nikolla thekson, se situata më e vështirë paraqitete në minierat e vjetra, në minierat e braktisura apo në minierat që janë në zona të thella dhe punojnë me një apo dy fronte dhe me numër të pakët punonjësish. Kjo për faktin se këto objekte janë jashtë kontrollit dhe jashtë vëmendjes.

“Përveç minierave të vjetra, të braktisura apo në zona të thella, problematike paraqesin edhe karrierat e hapura, të cilat po shkatërrojnë jo vetëm jetën e punëtorëve, por edhe ambientin e publikun në tërësi” thotë ai.

Një tjetër problem mbeten edhe të drejtat e punëtorëve në këtë industri, ku për Kol Nikollën vazhdimisht vazhdimisht ëhstë ngritur zëri për raste konkrete, siç është ai i Bulqizës ku u arrit të investohen rreth 20 milion euro në hapjen e perspektivës së minieres edhe per 30 vite, nvestim i cili është në përfundim të tij.

Nikolla thekson, se pas kërkesavë të vazhdueshme në 2015 u ul mosha e daljes në pension me 5 vite dhe se tani po vijon betejë për Statusin e minatorit, projekt që është dërguar në Qeveri dhe pritet që të kalohet në Parlament për miratim.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet