Klubi i mendimit ekonomik

Varfëria, familjet e 10 qarqeve shpenzojnë nën mesataren kombëtare

 Aurora Sulçe/Porta Vendore

 Tiranë-Durrës-Shkodër është trekëndëshi, në të cilin është përqëndruar pjesa dërrmuese e aktiviteve ekonomike në Shqipëri dhe rrjedhimisht ka më shumë të ardhura të disponueshme për familje për konsum. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat për shpenzimet mesatare mujore për konsum sipas qarqeve për vitin 2017.

Qarku i Tiranës ka shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum, me 87.968 lekë në muaj për familje. Në vend të dytë renditet Durrësi me 76.129 lekë dhe Shkodra, me 73.306 lekë në muaj për familje. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë Dibra me 47.467 lekë dhe Elbasani, me 57.831 lekë në muaj për familje.

Të dhënat nxjerrin në pah diferencat e forta mes zonave, ku të ardhurat e familjeve për konsum vijnë duke u pakësuar ndjeshëm nga qendrat e mëdha urbane drejt zonave më periferike.

“Ajo ç’ka bie më shumë në sy nga raporti i fundit i INSTAT në lidhje me buxhetin e familjeve shqiptare është fakti që ka një shmangie të lartë mes qarqeve. Nëse i referohemi grafikut shohim që vetëm dy qarqe (Tirana dhe Durrësi) qëndrojnë mbi mesataren kombëtare të shpenzimeve mesatare mujore të familjeve, ndërsa dhjetë qarqet e tjera qëndrojnë poshtë kësaj mesatareje.

Arsyet natyrisht janë disa, por arsyeja kryesore është fakti që këtu përgjatë dy dekadave të fundit ka pasur një zhvendosje të resurseve ekonomike dhe humane drejt qendrës së Shqipërisë, posaçërisht në zonën e aksit Tiranë-Durrës”, argumenton Panajot Soko, ekspert për ekonominë.

Përqendrimi i bizneseve dhe rrjedhimisht edhe i të ardhurave të disponueshme të familjeve në dy apo tre qarqe kryesore bën që ato të jenë jo vetëm kontribuesit, por edhe përfituesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike të vendit. Për qarqet dhe bashkitë e tjera, kjo përkthehet në më pak mundësi punësimi e zhvillimi e rrjedhimisht, në më pak para për banorët.

“Ka ndodhur e gjitha në një trajtë rezonance valore, ku fillimisht disa biznese janë zhvendosur në këtë aks për të qenë pjesë e një tregu më të madh; kjo zhvendosje është pasuar me zhvendosjen e kapaciteteve humane duke e zgjeruar edhe më shumë tregun, e cila më pas ka tërhequr të tjera biznese, që kanë tërhequr resurse të tjera humane, e kështu me rradhë derisa arritëm në panoramën e sotme ku rreth 60% e GDP dhe mbi 50% e popullsisë janë përqëndruar në dy qarqe.

Nëse i sjellim në memorie, janë me qindra biznese që kanë lindur fillimisht në qarqe periferike dhe më pas kanë transferuar aktivitetin e tyre në Tiranë apo në Durrës”, shprehet eksperti i ekonomisë, Panajot Soko.

Ndihma sociale sipas bashkive

Mungesa e perspektivës dhe mundësitë e kufizuara për biznes i bëjnë bashkitë e vogla dhe periferike të varura thuajse tërësisht nga qeveria qendrore. Kjo është veçanërisht e ndjeshme për ndihmën sociale, një zë që mbulohet nga transferta e kushtëzuar. E thënë ndryshe, nga paratë që jepen nga buxheti për pushtetin vendor për të varfërit.

Të dhënat e portalit www.financatvendore.al tregojnë se bashkitë që kanë konsumin më të ulët për familje, rezultojnë të mbledhin më pak të ardhura se të tjerat dhe rrjedhimisht, të jenë me sytë nga qeveria për të kryer funksionet.

Të dhënat për të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore, të cilat mblidhen nga bashkitë janë grupuar në grafikun e mëposhtëm sipas qarqeve. Më tej, duke përdorur të dhënat për popullsinë në nivel qarku është vlerësuar barra fiskale mesatare për një familje në nivel qarku.

Në të njëjtën mënyrë janë llogaritur dhe shpenzimet mesatare për një familje të alokuara nga bashkia për funksionin e mbrojtjes sociale – funksion ky që përmbledh shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe pagesën e paaftësisë.

Nga sa më sipër rezulton, se në qarqet Dibër dhe Kukës, në nivel vendor alokohen rreth 5 deri në 6 herë më shumë fonde për funksionin e mbrojtjes sociale krahasuar me sa familjet në këto qarqe kontribuojnë në buxhetin vendor.

Në një farë mënyrë, hendeku midis këtyre dy treguesve, sinjalizon për një nivel varfërie në këto qarqe më të theksuar krahasuar me qarqet e tjera.

Situata paraqitet e kundërt në rastin e qarqeve si Tirana, ku kontributi mesatar në nivel qarku në buxhetin e qeverisjes vendore është rreth 31,384 lekë për familje (rreth 6.1 herë më i lartë se ai në qarkun e Kukësit) dhe shpenzimet mesatare për funksionin e mbrojtjes sociale në nivel qarku rezultojnë të jenë rreth 4,596 lekë për familje.

Praktikisht, ky rezultat sinjalizon se në qarqet, ku demografia e bizneseve dhe popullsisë janë avantazhuese (si në rastin e Tiranës apo të Durrësit), niveli i varfërisë është më i ulët dhe barra buxhetore për funksionin e mbrojtjes sociale është më e vogël.

Lëvizja e pakontrolluar e popullisë drejt qendrave të mëdha urbane, kanalizimi i kapitalit në të njëjtin drejtim kanë shkaktuar boshatisjen e shumë territoreve nëpër qarqet si Kukësi apo Dibra.

Kjo lëvizje dhe përqendrim i popullsisë dhe biznesit në aksin Tiranë – Durrës ka çuar në pamundësi të qeverisjes vendore për të mbledhur të ardhura dhe kryer investime në mënyrë të pavarur dhe mungesë iniciativash për qeverinë qendrore për të investuar në zonat periferike.

Ky rreth vicioz i krijuar dhe vështirësisht i zgjidhshëm ka sjellë “dyndje” në qarqet me cilësi më të lartë jetese (si Tirana) dhe pamjaftueshmëri në ofrimin e shërbimeve publike kryesore: arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.

“Shkretimi nga pikpamja njerëzore dhe asaj të kapitalit i ka katandisur disa qarqe në situatën e sotme, ku paraja publike, pra transfertat e buxhetit qendror të shtetit drejt atij lokal, përbëjnë pjesën dërrmuese të valutës që hyn dhe furnizon me “karburant” ekonomitë lokale.

Ka disa bashki në qarqe si Dibra, Gjirokastra, Kukësi, Lezha etj.., ku, pas përfundimit të epokës së remitancave (familjet ose janë bashkuar duke mos pasur më transferta, ose disa janë zhvendosur drejt Tiranës që të hapin një biznes me kursimet nga remitancat e deriatëhershme), fondet shtetërore përbëjnë furnizuesin pothuajse të vetëm të ekonomisë lokale me valutë.

Dhe këto bashki janë në prag të asaj që quhet “vdekje klinike”, pasi aty ka humbur sensi ekonomik i ekzistencës së këtyre bashkive”, deklaron Panajot Soko, ekspert për ekonominë.

Por a ka shteti dhe qeveritë që kanë drejtuar vendin në vite, përgjegjësi për këtë shpërndarje me diferenca të forta në përfitimin ekonomik? Ekspertët mendojnë që po, teksa japin këtë argument.

“E gjithë kjo ka ndodhur në injorimin e plotë të strukturave shtetërore, pasi në asnjë moment përgjatë këtyre dekadave nuk është menduar stimulimi i mos-dezertifikimit human dhe kapital të këtyre zonave, nëpërmjet politikave të diferencuara fiskale apo infrastrukturore që do të stimulonin bërjen biznes në këto zona.

Çdo gjë është lënë në dorë të gravitetit ekonomik dhe natyrisht kjo ka sjellë këtë panoramë, e cila duhet thënë që mbart kosto shumë të mëdha, kur vjen puna te transfertat e ndihmës ekonomike apo fondeve të tjera të ndihmës shtetërore, pasi keta njerëz diku do të ushqehen – nëse nuk kanë një punë do të përfitojnë ndihmë ekonomike”, shprehet Soko.

Gjatë 20 viteve të fundit, qeveri të ndryshme kanë hedhur ide për nxitjen e zhvillimit të zonave periferike. Një pjesë e tyre kanë dështuar, si nisma 1 euro apo ajo e parqeve industriale. Të tjera kanë mbetur në letër.

Banorët e këtyre zonave janë sot të varfër, ashtu siç ishin dje e me shumë gjasë, do të jenë edhe nesër. Gjithmonë, nëse nuk zhvendosen drejt Tiranës apo Durrësit!

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet