Klubi i mendimit ekonomik

Unaza e Re/Ish drejtori i Ndërtimores, Softa: Debati për projektin teknik, jo politik. Ndryshe nuk merr zgjidhje

Protesta e banorëve të Astirit është shndërruar në përplasjen e rradhës me qeverisë dhe opozitës, duke u bërë tema e nxehtë e debatit politik të ditës.

A duhen prishur apo jo banesat? Ish drejtori i përgjithshëm i INUK-ut, Erion Softa ka deklaruar në emisionin Repolitix të gazetarit Denis Minga se çështja duhet trajtuar në nivel treknik.

Sipas tij, institucionet duhet të bëjnë transparencën dhe banorët të informohen me detaje mbi projektin, banesat që preken prej tij, si dhe ku të drejtohen për kompensim, sipas specifikatave që ka çdo kategori.

Bazuar në eksperiencën e shembjes së dy zonave më problematike në kryeqytet, Parkut Rinia dhe Lanës, ish drejtori i Ndërtimores së Tiranës në atë kohë, Softa argumenton se i gjithë procesi duhet të futet në rrugë ligjore, nëse synohet t’i jepet zgjidhje. Në të kundërt, situata rrezikon të vijë duke u rënduar.

“Procesi duhet të futet në rrugë ligjore. Organet ligjzbatuese duhet t’i dërgojnë vendimet për prishje me bazë ligjore, në mënyrë që banorët të dinë realisht objektet, që do të prishen.

Grupet e interesit duhet t’i drejtohen zyrtarisht ARRSH-së. Situata duhet të zgjidhet sa më shpejt që të mos ketë percipitim të saj. Pasi rrezikon që grupe të pakënaqura t’i bashkohen protestës”, ka deklaruar Softa.

Ai argumenton se çdo përfshirje e politikës në këtë debat, vetëm e dëmton atë. Diskutimi mbi koston e projektit është i pavlerë, përsa kohë nuk ka një analizë të detajuar të volumit të punimeve nga ekspertët.

“Situata nuk duhet të trajtohet nga pikëpamja politike, por teknike. Klasa politike t’i bëjë amendime ligjit, nëse e mendon çështjen e drejtë.

Projekti nuk duhet të paragjykohet pa një analizë inxhinierike të zërave të punimeve dhe preventivit bashkangjitur. Kjo do të thotë se nuk mund të hidhen hije dyshimi mbi koston, pa bërë analizë”, shprehet Softa.

Situata me protestën dhe projektin e Unazës së Madhe është futur tashmë në ngërç. Banorët, të mbështetur edhe nga opozita deklarojnë se do të vazhdojnë protestat dhe nuk do të lejojnë shembjen e banesave të tyre. Nga ana tjetër, qeveria dhe Bashkia e Tiranës shprehen të vendosur që të vijojnë me projektin.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet