Klubi i mendimit ekonomik

TVSH, Biznesi i vogël në protestë: Deri në fund të vitit do të kyçim derën përgjithmonë 50 mijë prej nesh

Janë 50 mijë biznese mendohet të mbyllen deri në fund të vitit për shkak se nuk përballojnë dot barrën e TVSH-së, ndërsa në gjashtë muajt e pare gati 25 mijë.

Sipas kreut të Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto pa hyrë ende në TVSH kanë mbyllur qepenët gati 2000 biznese të vegjël në tre muajt e parë të vitit.

Referuar situatës ai thotë për Ekonomix.al se në gjashtë muajt e parë do të mbyllen mbi 20 mijë biznese të vogla si efekt i hyrjes në skemën e TVSH-së.

“Situata është e papërballueshme. Bizneset janë të painformuar. Barra është e lartë për tu përballuar.

Albert Nasto

Me rregullat e reja, ndaj të cilave biznesi është në hije totale informacioni, ata që kanë ende të hapur qepenët presin çdo ditë të marrn gjoba të majme. Duhen kasa të reja me futjen në TVSH që sigurisht kushtojnë, duhet financier jo i thjeshtë, por ekspert kontabël. Duhen shumë gjëra që kanë kosto financiare të lartë. Të gjithë do të shkojnë emigrantë që të mbajnë familjet.”- shprehet Nasto.

Sipas tij, hyrja në skemën e TVSh-së së biznesit të vogël është një politikë e cila po ndërmerret nga kjo qeveri, jo me synimin për të luftuar informalitetin apo evazionin fiskal, por, është totalisht e qëllimshme. “Qëllimi i këtyre është zhdukja e biznesit të vogël dhe të mesëm të Shqipërisë. Domethënë e mijëra sipërmarrjeve private dhe e mijëra vendeve pune për qytetarët e këtij vendi. Kemi thënë që regjimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është që futja e çdo lloj malli që një biznes ka sot, apo ka mbartur prej vitesh në subjektin e tij, me këtë taksë. Konkretisht, siç e ka futur me TVSH, edhe do ta nxjerrë me TVSH. Dhe hetimi tatimor pikërisht këtë do të shikojë dhe kontrollojë, se a ka biznesi TVSH për mallin? Dhe unë them se këtu do të dalin zbuluar me mijëra biznese, sepse ashtu ishte sistemi. Pra, futje një mall dhe mbaje një libër hyrje-daljesh e jo TVSH. Sepse ju e dini shumë mirë që deri dje, në vitin 2015, 70% e biznesit ishte informal. Kush do ta na jepte neve TVSH-në? Ajo vetëm sot ka hyrë dhe shumë biznese të mëdha nuk e japin për të voglin. Debati është që sot biznesi i vogël, edhe një paketë cigare apo një fshesë që mund t’i kenë mbetur nga vitet ’90 duhet t’i ketë të shoqëruar me fletë TVSH-je. Po kush i ka këto fletë TVSH-je? Unë them se 99.9% e bizneseve të vogla që shesin mallra nuk i kanë këto fatura dhe pikërisht këtu do të penalizohen. Domethënë, do të vejë hetimi tatimor, i cili nënkupton analizë cilësore të çdo produkti që ke në dyqan.”- sqaron Nasto për Ekonomix.al.

Në këndvështrimin e Nastos reforma të tilla nuk ideohen dhe aplikohen në një kohë kaq të shkurtër. “Ato bëhen të paktën në një hark kohor jo më pak se dy vjet, ose nuk bëhen fare. Ne kemi investiguar si shoqatë dhe kemi parë sesi në Evropë, e kanë masën për të qenë biznes i vogël nën 50 mijë euro xhiro. Ky nuk është model evropian. Vetëm Spanja e ka nga zero deri në infinit që i përfshin bizneset në regjimin e TVSH-së. Por edhe ajo ka një ndihmë të madhe ekonomike, me cash në dorë për bizneset e vogla. Kjo e këtyre është një nismë e qëllimshme.”- thotë kreu i Shoqatës së Biznesit të vogël.

Protestat

Prej disa ditësh biznesi i vogël ka nisur të protestojë në të gjithë vendin duke ulur qepenat për disa orë. I pyetur nga Ekonomix.al se sa do të vazhdojë kjo protestë, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël Albert Nasto nuk jep afat. “Protesta jonë do të vazhdojë derisa të reagojë Qeveria. Ne do të përshkallëzojmë protestën tonë të drejtë deri në grevë e urie e më tej. Kjo është një padrejtësi që na bëhet ne si biznes i vogël. Nuk përballojmë dot as TVSh-në dhe as gjobat”- shprehet Nasto.

Sipas tij, gjendja reale e biznesit të vogël dhe të mesëm, që është 99%, është e rëndë. “Po kalon vështirësi mjaft të madhe si pasojë e taksave dhe shtimit të tyre. Po kalojmë një kohë të vështirë ekonomike dhe depresive.”-thotë Nasto.

Sipas Nastos, referuar statistikave, në 4 vitet e fundit janë mbyllur në gjithë vendin 80 mijë biznese të vogla dhe të mesme. Kanë qenë 196 mijë biznese ndërsa sot numërohen 108 mijë biznese.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet