“Telekom Albania” shitet për 50 milionë dollarë, ja kush janë blerësit
Grupi grek OTE njoftoi zyrtarisht se ka rënë dakord për të shitur Telekom Albania në vlerën e 50 milion dollarëve tek Albania Telecom Invest, një kompanie bullgare. Ky njoftim u bë ditën e sotme me anë të një deklarate, ku tregoi se OTE ka ndërmarrë një marrëveshje për të shitur të gjithë aksionet e Telekom Sh.A(Telekom Albania).
Albania Telecom Invest AD drejtohet nga Z. Spas Roussev, pronar i operatorit të telekomunikacioneve bullgare Viacom, dhe investitorit me origjinë Shqiptare Elvin Guri.
Sipas Michael Tsamaz, drejtor ekzekutiv i OTE, “Shitja e Telekom Albania përmbyll investimin e suksesshëm të grupit OTE në Shqipëri. Është një vendim strategjik i Grupit OTE i cili po ridimensionon prioritetet dhe planet afatgjata të zhvillimit, në mënyrë që të krijojë vlerë të shtuar për aksionerët dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm”.
Bëhet e ditur që transaksioni do ti nënshtrohet kushteve të zakonshme, duke përfshirë miratimin nga autoritetet lokale kompetente dhe financimin, ndërsa pritet që procedurat përmbyllëse të përfundojnë në gjysmën e parë të vitit 2019.