Klubi i mendimit ekonomik

Teatri i Rrugës nëpër Shqipëri “pushton” tetë qytete

Të rinjtë nxisin pjesëmarrjen e komunitetit në vendimmarrjen lokale nëpërmjet artit

 

Prej disa muajsh qendrat Vlorës, Himarës, Beratit, Kucovës, Korcës, Maliqit, Pogradecit dhe Tushemishtit janë kthyer në skena teatrore ku, të rinjtë e këtyre qyteteve sjellin më pranë komuniteteve ku jetojnë një formë arti sa të re dhe moderne, po aq të lashtë.

Teatri i Rrugës nëpër Shqipëri është një inisiativë që synon jo thjesht dhe vetëm argëtimin e qytetarëve, por edhe ndërgjegjësimin e tyre për përgjegjësitë që duhet të ndërmarrin në komunitetet ku jetojnë.

Teatri i Rrugës nëpër Shqipëri synon të sjellë ndryshimin nëpërmjet:

– nxitjes së pjesemarrjes së komunitetit në vendimarrjen lokale;

– advokimit per çeshtje te rendesishme per komunitetin;

– forcimit e rritjes së nivelit të demokracise vendore nëpërmjet artit si një mjet tërheqës për komunitetin, veçanerisht të rinjtë, per tematika të ambjentit, transparencë, llogaridhënies dhe korrupsionit.

Nëpërmjet etydeve artistike, të rinjtë sjellin problematikat që shqetësojnë komunitetet e qytetarëve në qytetet përkatëse duke synuar t’i shkundin ata nga përgjumja dhe t’i nxisin të ngrejnë zërin për problemet dhe hallet që i shqetësojnë çdo ditë dhe që nuk gjejnë zgjidhje nga drejtuesit e institucioneve vendore.

Teatri i Rrugës nëpër Shqipëri është bërë i mundur nga Organizata Asistencë për Komunitetin Shqipëri – ACA dhe Shoqata e Artistëve të Rinj të Skenës ShARS, me mbështetjen e Lëviz Albania dhe në bashkëpunim me Bashkitë përkatëse.

Me qindra qytetarë kanë ndjekur me interes mbrëmjet e Teatrit të Rrugës nëpër qendrat e qyteteve. Ata kanë duartrokitur talentin e të rinjve dhe janë solidarizuar me temat e trajtuara, duke vlerësuar se është hera e parë që shqetësime të tilla janë trajtuar kaq bukur dhe kaq hapur në qendër të qytetit.

Shumë serioz dhe njëkohësisht mjaft argëtues dhe me plotë humor janë vlerësuar performancat nga spektatorët. ‘Të bënte për të qeshur, por njëkohësisht të vinte me ‘shpatulla pas murit’, është shprehur një qytetare e Beratit që ndoqi me interes shfaqjen në pedonalen e qytetit.

Edhe për të rinjtë që janë pjesë e performancave të Teatrit të Rrugës kjo ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, ku nëpërmjet plastikës së trupit dhe lëvizjeve energjike në skenë, shoqëruar me muzikën, kanë përcjellë mesazhe tepër të rëndësishme për bashkëmoshatarët dhe bashkëqytetarët e tyre.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet