Klubi i mendimit ekonomik

Të rinjtë e të ardhmes! 20 vjeçarja shqiptare, pjesë e Parlamentit Rinor Europian

Intervistë me Gea Çausholli, organizatore e sesioneve të Parlamentit Rinor Europian në Shqipëri

 

Eshtë vetëm 20 vjeç dhe kërkon të ndryshojë botën. Ashtu siç është ëndërrojnë të gjithë në këtë moshë, por ndryshe nga shumë të tjerë, ndryshimin do ta bëjë në Shqipëri. Eshtë Gea Çausholli, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Pjesëtare aktive e fondacionit bamirës “Fundjavë Ndryshe”, si dhe organizatore e sesioneve të Parlamentit Rinor Europian në Shqipëri prej pothuajse 3 vitesh.
Një vajzë e thjeshtë, që sapo e takon, e kupton që është e dashuruar me librat. Një ndjesi që të përforcohet teksa e dëgjon, duke artikuluar qartë e pa gabime, me shprehi të zgjedhura, gjë që është aq e rrallë sot për të rinjtë.

Ka ambicie për t’u bërë dikush, por jo për para, që siç thotë edhe vetë “janë mjet dhe jo qëllim”. E zhgënjyer nga klasa politike, që nuk e përfaqëson, por jo nga shoqëria shqiptare. Ajo shpreson, punon e lufton fort që gjërat nesër të jenë më mirë.
E ndërsa shumë zgjedhin të largohen nga vendi, mes tyre kryesisht të rinj, takimi me Gean më dha ndjesinë e mirë se Shqipëria ka ende shpresë dhe ne kemi nevojë për modele të tillë të të rinjve të të ardhmes.

 

Aurora Sulçe, Ekonomix.al

Çfarë synon të bëhesh, kur të mbarosh studimet?
Kur studion në degën që dëshiron, ajo që synon është të japësh dhe t’i marrësh maksimumin profesionit tënd. Synimi im është të jem pjesë e grupit që do vendosin drejtësinë e vërtetë në këtë vend.

Çfarë kërkon të arrish nëpërmjet aktivizimit tënd në Parlamentin Rinor Europian?
Jam e vendosur për të bërë një ndryshim në shoqërinë shqiptare, duke filluar tek e ardhmja e saj, rinia. Pavarësisht karakterit të saj letargjik, rinia shqiptare ka nevojë për aktivizime te ndryshme në fushata dhe aktivitete apolitike, qofshin për bamirësi ose për Parlamentin Rinor Europian.

Mendoj se integrimi i moshës së re në problematikat europiane e botërore, duke bashkëpunuar me njëri tjetrin për zgjidhjet e tyre, është baza për të krijuar një rrugë premtuese për Shqipërinë e të ardhmes.

Pas studimeve dëshiron të jetosh në Shqipëri apo jashtë?
Nëse do të përfundoj studimet shkëlqyer, do t’i shërbej vendit tim kudo që të punoj e të jetoj.

Çfarë do të doje të ndryshoje në Shqipëri?
Shqipëria ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe natyrë marramendëse mesdhetare, por shumë për të ndryshuar. Unë mendoj që baza e ndryshimit do të niste nga: kthimi i pronës tek i zoti, ligji të zbatohet njëlloj për të gjithë dhe jo në mënyrë preferenciale, dhe kur ne të duam e të vlerësojmë më shumë veten, por dhe njëri-tjetrin.

Cili është mendimi yt për politikën?
Nëse ka diçka që kërkon ndryshim të menjëhershëm e rrënjësor në Shqipëri, është klasa politike. Shoqëria shqiptare është sot në të tjera nivele zhvillimi intelektual, kjo klasë politike nuk e përfaqëson.

Cilët mendon se janë grupet e shoqërisë që mund të bëjnë ndryshimin e madh?
Ndryshimi zakonisht vjen nga grupet, të cilat e ndikojnë shoqërinë: intelektualët, artistët e padyshim, të rinjtë.

Cili është koncepti yt për paranë?
Paraja është mjeti, jo qëllimi.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet