Klubi i mendimit ekonomik

Të puësuarit në shtet, kush e ka pjesën e luanit

Të gjeturit të një pune në shtet mbetet një dëshirë për shumë shqiptarë, veçanërisht për një pjesë të të rinjve që mbarojnë studimet e larta. Një tendencë krejt e ndryshme nga vendet e zhvilluara, ku më tepër synohet sektori privat. Portali i të dhënave “Open Data Albania”, bazuar në buxhetin e këtij viti, evidenton se gjatë 2018-ës në institucionet buxhetore do të jenë të punësuar 81 753 punonjës. Krahasuar me vitin 2017, për totalin kemi rritje me 40 punonjës.

Por cilat ministritë që aktualisht punësojnë më shumë?

Të dhënat zyrtare tregojnë se institucionet me numrin më të madh të të punësuarve janë Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Vetëm Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë zë rreth 38% të numrit total të të punësuarve buxhetorë për këtë vit. Nga ana tjetër, institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, me 6 anëtarë. Kjo shifër ka mbetur e pandryshuar edhe nga vitet e kaluara.

Këtë vit do të kemi 12 ministri ose 5 ministri më pak se në vitin 2017. Kjo për shkak të ndërhyrjes që bëri qeveria vitin e kaluar për shkrirjes e disa ministrive dhe bashkimin me ministri të tjera, në përpjekje për të ulur shpenzimet.

Kursejmë tek ministritë, shtojmë tek agjencitë

Në institucionet e tjera jo ministri, këtë vit do të jenë të punësuar 6 099 punonjës, ose 382 punonjës më shumë se vitin e kaluar. Shtimin më të madh të numrit të punonjësve e kanë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia për Hapje, Dialog dhe Bashkëqeverisje, Kontrolli Lartë i Shtetit, Agjencia Telegrafike Shqiptare, Instituti Statistikës, Autoriteti për të Drejtën e Informimit mbi dokumentet ish-sigurimit dhe Presidenca.

Institucionet e reja që krijohen

Në vitin 2018, sipas parashikimeve buxhetore na rezulton se krijohen disa institucione të reja. Sipas Open Data Albania, nga arka e shtetit do të jepen para për herë të parë për tre Institucione të Sistemit të Drejtësisë: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 50 punonjës, Kolegji i Posaçëm i Apelimit me 37 punonjës, Komisioneri Publik me 26 punonjës dhe Institucione të tjera si: Qendra kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit dhe Agjencia për Diasporën. Institucione të tjera të drejtësisë nuk kanë patur ndryshime të theksuara, përjashto Gjykatën Kushtetuese me një shtesë prej 10 pozicione punësh.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet