Klubi i mendimit ekonomik

Të drejtat e grave që nuk respektohen në punë! Historia e dhimbshme e Teftës në fasoneri

Teuta Guci është një ish-punonjëse në fabrikat e industrisë së fasonit. Ajo tregon për të drejtat në punë që nuk respektohen dhe për dhunën që ushtrohet. Ka gjetur forcën të flasë, teksa janë me qindra gra të tjera që heshtin. Ky është një realitet i dhimbshëm sot në Shqipëri, i përdoitshëm në shumë biznese, por që për të flitet shumë pak.

“Kam përvojë e gjatë në fasoneri, 10 vjet. Është e lodhshme, ka presion, ka dhunë, s’ka të drejta. Ka edhe shuplaka! Po, mua më kanë qëlluar! U përpoqëm të ngremë sindikatën tonë.

Unë e para. E ngritëm, u bëmë grup, po punëdhënësi nuk e njihte. U hakmor ndaj meje si iniciatore e sindikatës, duke më bërë shembull  mua me pushimin nga puna, duke njollosur librezën time të punës me vulën “Organizatore e aktivitetit  sindikal të paligjshëm”, shprehet ajo.

Sot Tefta nuk është vetëm, pasi me ndihmën e shoqërisë civile që po i siguron asaj mbështetjen ligjore, nuk do të dorëzohet dhe do të kërkojë fort të drejtën e saj të shkelur. Rasti i saj është tashmë bërë publik ndërkombëtarisht.

Për respektimin e të drejtave në punë

Për të diskutuar pikërisht për të drejtat në punë Qendra për të Drejtat në Punë (CLR), në bashkëpunim me Qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim” dhe me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë,  me Organizatën Ndërkombëtare të Punës në Shqipëri  dhe të mbështetur nga Olof Palme International Center zhvilluan tryezën e diskutimit me temë: “Ndal dhunës dhe ngacmimeve me bazë gjinore në vendin e punës! Mbështesni Konventën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës!”.

Eneida Mjeshtri, perfaqesuese e Qendrës për të Drejtat në Punë përcolli mesazhin se “duhet të ratifikojmë pa vonesë konventën e ILO-s, sepse nuk kemi luksin të humbim kohë. Pastaj të gjithë si veprimtarë: sindikatat, OJF organizmat e punëdhënësve dhe institucionet të angazhohemi në garantimin dhe advokimin e të drejtave të grave dhe vajzave në vendin e punës”.

Gëzim  Kalaja, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kërkoi që delegacioni shqiptar që do të marrë pjesë në takimin e 100 Vjetorit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) të jetë unitar dhe të votojë pro konventës kundër dhunës me bazë gjinore në vendin e punës.

Mirela Arqimandriti, drejtore e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim theksoi se “në Evropë 40 përqind  e grave në çdo nivel punësimi denoncojnë rastet e dhunës, kërcënimit dhe shantazhit në vendin e punës, ndërsa në Shqipëri nuk ka ASNJË rast të denoncuar. Duhet ta pranojmë se dhuna në vendin e punës kërcënon fizikun, por sidomos gjendjen psikologjike të gruas, duke i ulur dinjitetin dhe potencialin e saj për të kontribuar në ekonomi e shoqëri”.

Plejada Gujashi, përfaqësuese  e Qendrës Ndërkombëtare Olof Palme nënvizoi se “të gjitha ne si gra e vajza, pavarësisht pozicionit që mbajmë e punëve që bëjmë, e kemi ndjerë në një formë ose tjetër presionin. Është momenti që të gjithë : institucione shtetërore, ILO, sindikata ,OJF, organizata  e punëdhënësve e veprimtarë të tjerë të nisim një aksion të koordinuar në një plan të përbashkët reagimi kundër dhunës me bazë gjinore në vendin e punës”.

Bardhylka Kospiri, zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se “iniciativa e ILO për konventën kundër  dhunës me bazë gjinore në vendin e punës është e mirëpritur, pasi parimet e saj janë dhe në themel të politikave dhe programit të qeverisë në lidhje me çështjet gjinore”.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet