Klubi i mendimit ekonomik

Të dhënat e AMF: Sigurojmë makinat, por jo jetën e shëndetin

Shqiptarët sigurojnë makinat, por jo shëndetin dhe jetën. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se gjatë vitit 2018, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, ose ndryshe sigurimi i automjeteve që është i detyrueshëm me ligj arritën në rreth 10.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.6% kundrejt një viti më parë. Aktualisht, sigurimi i automjeteve zë edhe 63.38% të tregut të sigurimeve.

Ndërkohë që sigurimet vullnetare janë në rënie. Sipas të dhënave, primet e sigurimit vullnetar arritën në rreth 6.1 miliardë lekë, ose 0.62% më pak se në vitin 2017. Rënia më e fortë tek sigurimet vullnetare vihet re te sigurimi i aksidenteve dhe shëndetit, si dhe te sigurimet e jetës.

Sigurimet vullnetare përbëjnë aktualisht 31.62% të tregut të sigurimeve, ku sigurimi i pronës zë 18.13% dhe pjesa tjetër përbëhet nga sigurimi i jetës dhe shëndetit.

Mungesë kulture, por edhe të ardhura të pakta. Kombinimi i këtyre dy faktorëve po e mban tregun e sigurimeve në nivele ende embrionike në Shqipëri.

 

Bie numri i aksidenteve, këmbësorët më të kujdesshëm

Ndërsa sigurimi i makinave është rritur, një lajm i mirë vjen nga situata në rrugë. Numri i aksidenteve rrugore ka pësuar rënie në Shqipëri. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2018, ka pasur 1718 aksidente, ose 260 më pak se një vit më parë.

Aksidentet rrugore, në 20.4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Megjithëse në këtë drejtim ka pasur përmirësim dhe numri i aksidenteve për këtë shkak, ka pësuar ulje kundrejt një viti më parë.

Të dhënat tregojnë se Tirana, Fieri dhe Shkodra janë qytetet me numrin më të madh të aksidenteve, ndërsa qytetet ku kanë ndodhur më pak ngjarje të tilla janë Gjirokastra, Berati dhe Vlora.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet