Klubi i mendimit ekonomik

“Të bësh biznes 2019”, Shqipëria e parafundit në rajon. Problemet lejet e ndërtimit dhe pagesa e taksave

Shqipëria është e parafundit në rajon për klimën e të bërit biznes. Në raportin e fundit “Të bësh biznes 2019”, të publikuar nga Banka Botërore, vendi ynë është i 63-ti në listën e 190 shteteve të përfshira në këtë studim.

Kundrejt një viti më parë, Shqipëria është përmirësuar me dy pozicione. Por në një krahasim me vendet e rajonit, ne jemi të parafundit, duke lënë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën, që mban në këtë renditje vendin e 89-të. E para në rajon mbetet Maqedonia, që mban në raportin ‘Të bësh biznes 2019” vendin e 10-të. Renditja në rajon vijon me Malin e Zi në vendin e 50-të, Serbia në vendin e 48-të, Kosova e 44-ta.

 

Në përmirësimet e Shqipërisë, raporti i Bankës Botërore liston si arritje vetëm lehtësimin e zbatimit të kontratave. Ndërsa pikat, ku investitorët e huaj hasin vështirësi në Shqipëri mbeten marrja e një leje ndërtimi, koha që nevojitet për të lidhur energjinë elektrike, si dhe pagesa e taksave

“Ekonomitë e rajonit performojnë më mirë në treguesit e rregjistrimit të pasurisë dhe mbrojtjes së investitorëve të vegjël. Mesatarisht duhen 20 ditë për të përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara për transferimin e pasurisë, me një kosto sa 2.6 për qind e vlerës së pasurisë, krahasuar me 4.2 për qind në ekonomitë me të ardhura të larta të OECD-së, për të njëjtën periudhë kohore”, theksohet në raportin e BB-së.

Megjithatë, rajoni vazhdon të mos performojë sic duhet sa i përket marrjes së energjisë elektrike. Lidhja e energjisë elektrike,  i kushton një biznesi mesatarisht sa 325 për qind e të ardhurave për frymë, krahasuar me 64 për qind që është kjo shifër për ekonomitë me të ardhura të larta të OECD-së.

Që nga botimi i parë në 2003 i raportit “Të bësh biznes”, fushat që kanë njohur më shumë reforma në Europë dhe Azinë Qendrore janë fillimi i biznesit dhe pagimi i taksave. Si rezultat, koha mesatare për të filluar një biznes në këtë rajon ka zbritur në 14 ditë, nga 44 ditë në vitin 2003, dhe kosto është reduktuar në mënyrë të qenësishme nga 21 për qind e të ardhurave për frymë në 2003 në 3.6 për qind sot.

Koha që i duhet një kompanie për të përgatitur, dokumentuar, dhe paguar taksat është reduktuar në 227 orë, nga 483 orë në 2005 (kur raporti filloi të raportojë mbi këtë tregues).

Këtë vit, raporti ka mbledhur të dhëna për trajnimet e ofruara zyrtarëve publikë dhe përdoruesve të rregjistrave të biznesit dhe të tokave. Një rast studimor në këtë raport që analizon këto të dhëna, gjen se trajnimi vjetor dhe i detyrueshëm për zyrtarët shoqërohet me rritje të eficencës në rregjistrimin e bizneseve dhe tokës.

Në Europë dhe Azi Qendrore, 55 për qind e rregjistrave të biznesit dhe 41 për qind e rregjistrave të tokës përdorin testim pilot. Duke përdorur testimin pilot për të bërë më pas ndryshime rregullatore, këto rregjistrime mund të identifikojnë dhe adresojnë sfida të mundshme përpara zbatimit të gjerë të proceseve të reja.

Një studim i dytë, për zbatimin e kontratave dhe likujdimit, ekzaminon nivelin e edukimit dhe trajnimit që marrin gjyqtarët në nivel botëror. Raporti gjithashtu paraqet iniciativa të Bashkimit Europian dhe Organizatës Botërore për Trajnimin e Gjyqtarëve. Dy raste të tjera studimore fokusohen në përfitimet që vijnë nga akreditimi i elektricistëve dhe trajnimi i zyrtarëve të doganave.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet