Klubi i mendimit ekonomik

Taksat që mbushën arkën e bashkive, sa paguam dhe si u shërbyem?

Material i përgatitur nga Merita Toska, eksperte për financat vendore në Co-Plan

 

Transparenca dhe llogaridhënia mbi përdorimin e fondeve publike janë elementë thelbësorë në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike vendore, ndërgjegjësimin dhe aktivizimin e qytetarëve në vendimmarrje dhe rritjen e përgjegjshmërisë së të zgjedhurve ndaj komunitetit. Status Raporti për Financat Publike Vendore i publikuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit paraqet në mënyrë të detajuar ecurinë e burimeve financiare të 61 bashkive dhe mënyrës së përdorimit të tyre përgjatë vitit 2017.

Meqenëse viti 2017 është edhe viti i dytë i plotë i zbatimit të Reformës Administrative dhe Territoriale (RAT) dhe decentralizimit të funksioneve të reja në nivel, ky raport mund të shërbejë edhe për të informuar diskutimin mbi pritshmëritë nga RAT dhe performancën në zbatimin e funksioneve të reja.

Burimet financiare të disponueshme për 61 bashkitë në vend u rritën me rreth 23% në terma vjetorë gjatë vitit 2017. Në ndryshim nga viti i mëparshëm, në vitin 2017 performanca e të ardhurave është ndikuar dhe përcaktuar ndjeshëm nga ecuria e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore.

Ndër taksat vendore, rritje e ndjeshme u shënua në të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (e cila përfaqëson rreth 40% të të ardhurave nga taksat vendore) dhe ajo mbi pasuritë e paluajtshme. Kjo e fundit, ndonëse në rritje, vlerësohet të mblidhet në nivel të ulët dhe lart potencialit që ajo paraqet.

 

Rritja e burimeve financiare të disponueshme u pasqyrua në zgjerimin vjetor të shpenzimeve, të atyre korrente dhe kapitale. Ndonëse është ende herët për të nxjerrë përfundime, rritja e shpenzimeve korrente nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative dhe territoriale, rritjes së eficiencës operacionale dhe tkurrjes së kostove administrative.

Shpenzimet kapitale shënuan një kthesë të rëndësishme pozitive gjatë kësaj periudhe. Në total bashkitë investuan rreth 26.5 miliard lekë, rreth 32.9% më shumë se një vit më parë.

Fokusi kryesor i shpenzimeve kapitale të financuara nga të dy nivelet e qeverisjes mbetet infrastruktura e transportit, strehimi, urbanistika dhe ujësjellës-kanalizimet etj..

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet