Klubi i mendimit ekonomik

Taksa progresive, bekim apo goditje për shtresën intelektuale shqiptare?

Opinion nga Z.Olindo Shehu, Partner në Tax & Legal pranë Deloitte Albania, në lidhje mbi efektin e taksës progresive në shoqërinë Shqiptare.

Për shumë prej nesh, me afrimin e ditës së pagës, rizgjohen po të njëjtat pyetje ekzistenciale: “A paguhem mjaftueshëm për të gjithë kohën që i dedikoj punës?”; “A është kjo çfarë unë dua të bëj me jetën time?”; “Përse shteti gjithmonë merr një pjesë kaq të konsiderueshme të të ardhurave të mia?”

Ndoshta dy pyetjeve të para nuk do të arrijmë kurrë t’ju japim një përgjigje përfundimtare dhe të kënaqshme; në thelb, janë pikërisht ato që motivojnë rrugëtimin tonë drejt arritjeve dhe sukseve të reja.

Për më tepër që unë jam i konfliktuar dhe nuk mund t’u përgjigjem atyre pyetjeve J. Por ndërkohë, është e pashmangshme për një familje të shtresës mesatare të mos mendojë dhe kërkojë në mënyrë të vazhdueshme për një sistem “të drejtë” të taksimit të të ardhurave.

Duke filluar nga muaji janar i vitit 2014, Shqipëria u bë pjesë e vendeve që përdorin një sistem progresiv të taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga punësimi. Ky sistem u cilësua si një bekim për shtresën e mesme.

Po sa të bekuar e ndjen vërtet veten shtresa mesatare shqiptare, ajo shtresë intelektuale që mbase ka shpenzuar për edukimin dhe zhvillimin profesional më shumë se sa do të jetë në gjendje të kursejë ndonjëherë me pagat aktuale në Shqipëri?

A është e drejtë që në kurriz të shtresës intelektuale të punësuar në Shqipëri të rëndojë skema progresive me tatimin më të lartë prej 23%, në kushtet kur me ato të ardhura mujore nga puna kjo shtresë paguan kreditë e marra për shkollim, kreditë e marra për vendbanim, rrit fëmijët dhe mirëmban prindërit (që e kanë të pamundur të mbijetojnë me pensionet e tyre)?

A i bën mirë vendit tonë që shtresa intelektuale të jetë ajo mëshumëe tatuar, sidomos në një kohë kur duhet të përdorim çdo mjet të mundshëm kundër fenomenit të “rrjedhjes së trurit” nga Shqipëria?

A vlen të vazhdojmë akoma të besojmë tek ai “bekim” teorik i cili, në realitet, për buxhetin e shtetit pati dhe vazhdon të ketë impakt minimal, por për trurin e vendit është pothuajse goditja e fundit?

Sistemi progresiv aktual në Shqipëri me normën më të lartëprej 23% të zbatueshme për të ardhurat mujore nga punësimi mbi 1,000 Euro është disavantazhues për Shqipërinë krahasimisht me shtetet fqinje.

Normat tatimore mbi të ardhurat nga punësimi dhe nga biznesi individual në shtetet deri diku më të afërta me Shqipërinë nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik (Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje-Herzegovina, Bullgaria, Rumania, Serbia) nuk tejkalojnë 10%.

Në pothuajse të gjitha shtetet e rajonit, normat tatimore të paraqitura në tabelën krahasuese më poshtë, janë të zbatueshme si për të ardhurat nga punësimi ashtu edhe për të ardhurat nga biznesi individual (vetëpunësimi) e të ardhurat profesionale të pavarura.

Vetëm shtetet më të zhvilluara në rajon si Greqia, Turqia, Italia, zbatojnë skema progresive me norma më të larta tatimore.

 

1 Burimi: https://www.dits.deloitte.com/#TaxGuides

Gjatë këtyre 5 viteve të fundit janë bërëndryshime në legjislacionin tonë fiskal.  Shumë prej tyre janë bërë në përgjigjetë problemeve të ndryshme të hasura nga biznesi, e shumë të tjera në përgjigje të qëllimeve strategjike të vendit.

Sot, një nga problemet më të mëdha me të cilin po përballemi, por për të cilin shumë pak flasin,është zvogëlimi i shtresës intelektuale në Shqipëri.

Nëse dikush do të argumentonte se shtresa mesatare nuk po zvogëlohet, atëherë le të vendosim si qëllim gjetjen e mënyrave për të mbështetur rritjen e kësaj shtrese. Pa shtresën mesatare ky vend do të mbetet një vend i varfër, ekonomikisht dhe intelektualisht.

Nëse qeveria do ta merrte përsipër këtë qëllim, atëherë mendoj se i ka ardhur koha anullimit të normës së sipërme prej 23%, ose gjithsesi uljes maksimalisht të saj!

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet