Klubi i mendimit ekonomik

Taksa e pronës, vendorët verifikim banesave. Ulje 30% në bazë të pozicionit të shtëpisë

Bashkitë kanë në dorë që të ulin me 30-35% vlerën e taksës së pronës, që nga 1 prilli hyn në fuqi me formulën e re, atë të përllogaritjes mbi bazën e vlerës së tregut dhe jo mbi sipërfaqe sic ka qenë deri më parë. Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera i ftuar në “Ekopolitikë” nga Aurora Sulçe në Ora Neës. Ai  shpjegon se janë bashkitë ato që bëjnë vlerësimin e taksës së banesave dhe se qytetarët kanë të drejtën e korrigjimit.

“Çmimi mund të ndryshojë edhe nga pozicioni i hyrjes. Çfarë mund të bëjnë njësitë e pushtetit vendor? Të verifikojnë. Kanë të drejtë e zbritjes deri në 35% nga çmimi, duke u nisur edhe nga pozicioni edhe nga largësia. Në metodologji janë dhënë të gjitha mjetet e duhura njësive të pushtetit vendor që të arrijnë tek një vlerë që pranohet nga paguesi i taksës. Mund të ketë kundërshtime. Është parashikuar që çdo qytetarë të ketë të drejtë të korrigjojë të dhënat e tij. Ai duhet të thërrasë përfaqësuesin e bashkisë dhe të thotë që vlera e shtëpisë sime nuk është kaq, sipërfaqja nuk është kaq. E drejta e korrigjimit është lënë pa afat”, shpjegon lera. Mësohet se për qytetin e Tiranës, e drejta e korrigjimit është në masën 30%, ndërsa për qytetet e tjera arrin deri në 35%.

 

Ndërtuesit paguajnë 100% për apartamentet stok

Me mijëra apartamente sot në të gjithë vendin janë ende stok, pasi nuk shiten për probleme të ndryshme, jo vetëm në fazën e ndërtimit dhe hipotekimit, por edhe lidhur me cmimin. Për këtë kategori, qeveria nuk do të tregojë asnjë tolerancë. Ndërtuesit do të paguajnë taksën e pronës në masën 100% për cdo apartament të pashitur që kanë. Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera deklaron se ky vendim pritet t’I japë nxitje tregut dhe t’I shtyjë ndërtuesit t’I shesin këto prona.  “Ky ligj ka edhe elementët e zhbllokimit të tregut. Nëse je një ndërtues dhe pret do të paguash taksë pasurie 100%, jo 30% për ndërtesat që ke hipotektuar dhe nuk i shet. Nëse t’i nuk i mbaron do të paguash 30% të nivelit të taksës. Gjithë kjo zhbllokon tregun”, deklaroi lera.

 

Shtatori, afati i ri për kadastrën fiskale

Ministria  e Financave ka dhënë një afat të ri se kur do të jetë gati kadastra fiskale, mbi të cilën duhej të zbatohej edhe taksa e pronës mbi vlerë tregu. Qeveria nuk arriti të respektonte afatin e parë të vënë prej saj, atë të 1 prillit, duke lënë si afat të dytë, shtatorin. “Edhe me krijimin e kadastrës fiskale, edhe me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pronës në nivel qendror, do të kenë rol koordinues, ndërsa përdorues do të jenë njësitë e pushtetit vendor. Ata do të merren me menaxhimin e taksës. Projekti suedez është gati dhe besoj do të jetë punë muajsh. Parashikimet që kemi bërë ne, në shtator”, shprehet Niko Lera, drejtor i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave.

I ftuar në debatin dje në mbrëmje në Ekopolitikë, Gerti Shella, drejtues Infocip theksoi se një skemë e tillë e taksimit të banesave, në Suedi u shoqërua me revoltë dhe qeveria u tërhoq. “Duket se është hapur kutia e Pandorës për taksat e shtuara. Kemi taksën e banesës që për hir të së vërtetës është shtuar. E dyta, duhet të ishte finalizuar kadastra fiskale dhe vendimmarrja të ishte mbi evidenca. Edhe në pohimin tuaj z.Lera, që ç’i bëri këtij që ka shtëpi 200 mijë euro të paguaj 100 euro në vit. Kjo është subjektive. Meqë prekët suedezët, në Suedi u ndoq e njëjta metodë dhe pati revoltë dhe sot e kanë taksën e sheshtë”, u shpreh Shella.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali theksoi që është e rëndësishme që kjo taksë të mblidhet dhe të menaxhohet nga vetë bashkitë dhe jo nga qeveria nëpërmjet një agjenti kombëtar, sic ishte plani fillestar, pasi kjo i shërben decentralizimit dhe pushteti vendor do të ndihet i detyruar të ngrejë kapacitet dhe ta mbledhë më mirë taksën e pronës.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo taksë mblidhet në vendin tonë në masën 0.3% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, ndërsa në vendet e tjera të rajonit arrin nga 0.5-1% të PBB-së.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet