Klubi i mendimit ekonomik

Start up-i që nisi me 2000 lekë , pas dy vitesh ka punësuar tre studente

“1 fjongo për ty”, start up-i në fushën e artizanatit, sot numëron 50-60 shitje në muaj; brenda dhe jashtë kufijëve. Prodhon artikuj bazikë në fushën e kancelarisë.

  • Sabina Veizaj, Ekonomix.al

Gjithçka lind nga nevoja në momentin e hiçit dhe nëqoftëse mendohesh shumë, nuk ndërmerr asnjë hap.

Këtë thonë shpesh njerëzit më të suksesshëm në botë kur kujtojnë fillimet e tyre. Madje e çojnë më tej argumentin duke sqaruar se, nëse do ta mendonin ku do të mbërrinin, nuk do të bënin asnjë veprim nga frika e suksesit.

Sadmira Malaj, “1 fjongo per ty”

Kështu mu rrëfye edhe Sadmira gjatë një bisede të qetë tek Friend’s Book House, ku kishim lënë takimin tonë. Ajo prej dy vitesh udhëheq një ide në fushën e artizanatit që e ka quajtur “1 fjongo për ty”. “Gjithçka nisi dy vite më parë kur unë isha ende studente në degën e Planifikimt Urban. Isha e fiksuar ndaj blloqeve të shënimeve, edhe për vetë profesionin që kam. Nuk gjeja atë bllok që unë dëshiroja që ti vinte për shtat si nevojave të mija, po ashtu edhe shijeve. Kështu që nisa ti modifikoja. Blloqeve që blija iu hiqja kopertinën, konsideroja vetëm përmbajtjen të cilës i shtoja produkte të tjera. Pëlqeheshin shumë nga kolegët e tjerë studentë. Njëkohësisht kisha kohë që doja të bëja diçka timen. Fjongoja erdhi në mënyrë spontane dhe si nevojë. Duke dashur të krijoja bllokun tim, u përballa me një produkt interesant që u pëlqye nga të tjerët. Shfrytëzova formimin tim artistik që kisha marrë në liceun e Shkodrës dhe studimet e larta për Planifikim Urban dhe në mënyrë të natyrshme erdhi iniciativa ime”- rrëfen Sada. Ky është shkurtimi i emrit me të cilin prezantohet në Instagram (ku edhe unë u prezantova me të), vend në të cilin ajo shet produktet e saj, blloqet artizanale. Linja e parë dhe e vetme deri tani për produktin e saj, blloqet souvenir.

Me thjeshtësi dhe një portret të qetë në sinkron me gjestikulacionet, e sinqertë tregon se gjithçka nisi me 2000 lekë. Kursimet e kafeve të mëngjesit në fakultet. Me 2000 lekë lëndë të parë Sada dy vjetë të shkuara filloi të krijonte blloqet e parë artizanalë që sot kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë.

“Nuk merrja vesh fare nga çështjet e biznesit. Ndoshta në mënyrë të natyrshme më kishin ndihmuar vitet e para të studimeve sepse dega ime është një disiplinë që ndërlidh disa formime njëherësh. Absolutisht nuk u mora me një plan biznesi, nuk më shkoi mendja fare të bëja një analizë të një studimi të mundshëm tregu për të kuptuar nëse idea ime ishte jetësuar në tregun shqiptar. U nisa vetëm nga pëlqimet e njerëzve që e kishin parë bllokun tim të parë. Kisha vetëm 2000 lekë të reja, bleva fleta me pamje antike për të dhënë idenë që kisha në blloqet e mia dhe kështu nisi. Spontanisht, në shtëpi, pa u menduar fare. Nëse do të isha menduar më gjatë dhe do të isha e bindur se idea ime që u bazua në një nevojë tejet personale do të merrte këtë formë që ka sot, nuk besoj se do ta kisha ndërmarrë këtë inisiativë. Gjithçka po bëja, ishte naive. Vetëm reagimi pozitiv i të tjerëve më mbante të vazhdoja dhe të sfidoja  veten ndaj një fushe që nuk e mendoja se mund të isha e aftë a e përgatitur për ta menaxhuar; idenë time artistike edhe si biznes njëkohësisht”- thotë Sada.

Pas dy vitesh punë intensive, ajo arrin sot të shesë mesatarisht 50-60 blloqe në muaj; brenda dhe jashtë kufijëve. Linja e blloqeve artizanale e “1 fjongo për ty” aktualisht i ofrohet publikut në tre formate; A5, A6 dhe një format më i vogël akoma që quhet bllok xhepi. Blloqet vijnë të personalizuara sipas preferncave të klientëve që i kërkojnë.

“Unë kam mbi 8000 ndjekës në Instagram dhe pjesa më e madhe janë klientë nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë në vende të ndryshme të Europës e tanimë edhe qytetarë europianë të cilët kanë marrë blloqet e mia si dhuratë nga shqiptarët atje e më kanë kontaktuar për të më falenderuar e për të porositur të tjerë blloqe”- tregon ajo.

Sada e konsideron Instagramin jo thjesht dhe vetëm si trend komunikimi, shprehjeje dhe argëtimi, por si një dyqan të vërtetë virtual i cili të jep mundësinë të jesh në kontakt të përhershëm me klientin për të ndarë më të mendime, ide.

“Sapo përfundoja një bllok e publikoja menjëherë. Edhe përdorimi është më i thjeshtë, më i aksesueshëm, kushdo e përdor. Kjo është një mënyrë e mirë për të kuptuar menjëherë reagimin ndaj produktit.”- shprehet ajo.

Target grupi i klientëve qysh prej fillimit mbeten studentët, por këtij grupi i janë shtuar zyrtarët dhe nënat. Këto të fundit blejnë blloqet për të shënuar recetat e gatimit.

“ Më ka përfshirë aq sa më rrëmben nga gjithçka, edhe nga profesioni. Ka ndryshuar shumë cilësia e produktit. Nga një veprim naiv, është kthyer në diçka serioze. Po përpiqem që ta strukturoj në formën e biznesit idenë time dy vjeçare, ta ribrandoj dhe të kuroj marketimin. Po shoh mundësi bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë të fjongos. Creativ Atelier është bashkëpunëtori im i parë. Do të sjellim një produkt cilësor. Kjo kompani merret me përpunimin e lëkurës origjinale e sëbashku do të nxjerrim një linjë produktesh luksoze në të ardhmen”. – thotë e bindur e Sada.

Vetëm një vit prej diplomimit të saj, dhe dy vjetë prej fillimit të inisiativës, ajo tashmë ka punësuar tre studente me një orar fleksibël duke mbajtur mend vështirësitë e saj gjatë përiudhës së studimeve.

Sada thotë që nëse i përkushtohesh një start up-i duke synuar rritjen dhe zhvillimin e idesë fillestare, gjithçka të shpërblehet. Ajo është e kënaqur me fitimet që i vijnë nga kjo ide,

“Hapi tjetër i “Fjongos” do të jetë linja komerciale”, vijon bisedën Sada.

Ajo ngjan optimiste dhe mbështet idenë se puna është e mundur të krijohet vetë nga të rinjtë mbi bazën e ideve dhe me fare pak lekë, por me shumë dëshirë e përkushtim, duke patur parasysh sigurisht vështirësitë me të cilat të përball vendi ynë.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet