Klubi i mendimit ekonomik

Sot përfundon afati i deklarimit të të ardhurave. Nga nesër, gjoba

Përfundon sot afati i deklarimit të të ardhurave. E thënë ndryshe, të gjithë ata që realizojnë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit, kanë kohë edhe sot për të plotësuar deklaratën individuale të të ardhurave vjetore. Në të kundërt, do të gjobiten.

Sipas ligjit, plotësimi i deklaratës është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu, edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2 milionë lekë.

Ekspertët e tatimeve shpjegojnë se individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme si më poshtë : të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit; të ardhurat bruto nga dividenti; të ardhurat bruto nga qiraja; fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit; të ardhura bruto nga interesat bankare; fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme; shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit;  të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; fitimi kapitali nga dhurimi; të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart.

Sipas të dhënave te Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deri javën e kaluar kishin dorëzuar deklaratën e të ardhurave mbi 7500 persona. Nga këta, vetëm 497 persona janë me pagesë ose me rillogaritje me bashkim page. E thënë ndryshe, që mund të punojnë në më shumë se një punë dhe nga bashkimi i të gjitha të ardhurave arrihet kuota e përcaktuar në ligj.

Por sipas ekspertëve të tatimeve, ky numër pritet të rritet deri në mbyllje të afatit ligjor të dorëzimit të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet