Klubi i mendimit ekonomik

Shtrenjtohet transporti, ulen kostot për shëndetin. Çfarë ka ndodhur me çmimet në një vit

Shqiptarët paguajnë sot për jetesën njësoj sa edhe një vit më parë. Kjo rezulton nga shifra e inflaiconit, të publikuar sot nga Instituti i Statistikave. Sipas INSTAT-it, në tetor të këtij viti inflacioni arriti në 1.9%, i njëjti nivel edhe në tetorin e vitit të kaluar.

Ekspertët e Institutit të Statistikave vlerësojnë se në harkun kohor të një viti rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 4.3 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3.4 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3.2 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 1.8 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1.0 %, “Shërbimi arsimor” me 0.8 % “Komunikimi” me 0.7 %, etj.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0.4 % pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 0.3 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 11.5 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 2.4 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 1.4 %, etj. Nga ana tjetër, çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” u ulën me 2.1 %, pasuar nga “peshk” me 0.3 %, etj.

Inflacioni ndodhet aktualisht nën objektivin minimal të Bankës së Shqipërisë, që ka përcaktuar një luhatje të këtij treguesi në kufijtë 2-4 për qind.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet