Klubi i mendimit ekonomik

Shqiptarët sigurojnë pronat. Kanë frikë nga zjarret e përmbytjet

Jo vetëm makinat, tani edhe pronat. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se gjatë këtij viti janë rritur sigurimet vullnetare, veçanërisht përsa i përket pronave.

Sipas AMF-së, primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shtator 2018 arritën rreth 4.7 miliardë lekë, me rritje 1.22% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. “Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 4.22% krahasuar me periudhën janar-shtator 2017”, vlerëson Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Të dhënat tregojnë se segmenti me rirtjen më të ndjeshme në sigurimet vullnetare është ai pronave. Shenjë kjo se qytetarët dhe bizneset janë të trembur nga katastrofat natyrore, si përmbytjet gjatë dimrit apo edhe zjarret dhe po sigurojnë pasurite e tyre të patundshme.

“Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive, të cilat gjatë periudhës janar-shtator 2018 siguruan mbi 2.1 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 75.22%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 16.08% të totalit”, theksohet në raportin e AMF-së.

Edhe gjatë këtij viti, tregu i sigurimeve mbeti i orientuar nga sigurimi i automjeteve, që është i detyrueshëm me ligj. Sipas të dhënave, sigurimi motorik zuri 67.1% të tregut, pasuar nga sigurimi i pronës me 18.99% dhe sigurimi i jetës dhe shëndetit me 13.88%.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet