Klubi i mendimit ekonomik

Shqipëri-Kosovë, Zyra doganore u hap. Rama premton model të ri në kufi

Kosova ka çelur zyrën e saj doganore pranë Portit të Durrësit. Me ngritjen e kësaj zyre, operatorët ekonomikë nga Kosova dhe Shqipëria do të përfitojnë nga lehtësimi i procedurave dhe shkurtimin në kohë e kosto.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të kësaj zyre, që sipas tij do të rrisë ndjeshëm mundësinë për shkëmbime tregtare mes dy vendeve.

“Shifra e volumit tregtar të shkëmbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë një rritje prej thuajse 60 milionë eurosh. 62 mln euro, nuk janë një shumë për t’u krenuar në raport me ambicien që kemi. Mundësitë dhe potenciali ynë është shumë më tepër se kaq, ama janë shumë më tepër se ç’ishin, kur nisëm mbledhjet për të lehtësuar tregtinë. Nëse i referohemi pikënisjes, janë shumë shumë më tepër”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar njoftoi edhe mbi ecurinë e një tjetër marrëveshjeje të dalë nga mbledhja e përbashkët në Pejë në fund të nëntorit, atë të modelit të ri të kufirit mes dy vendeve.

“Jo më larg se dje, Ministria jonë e Brendshme ka përfunduar draftin teknik e ligjor për të garantuar që në pranverë ne të kemi në kufirin e sotëm që ndan Tiranën me Prishtinën, sistemin Shchengen. Tani jemi vetëm në një fazë fillestare. Kemi kaluar nga 2 kontrolle në 1 kontroll të unifikuar, Zyra e Policisë në kufi është e përbashkët, por kjo do të zgjasë edhe për pak kohë, sepse në pranverë do të kemi procedurë krejt tjetër dhe kufi totalisht fluid, njësoj si kufiri mes Francës dhe Gjermanisë”.

Zbatimi i këtij sistemi të ri pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën për të lëvizur mes dy vendeve dhe të evitojë radhët e gjata në kufi, veçanërisht gjatë verës.

Kryeministri shqiptar premtoi gjithashtu lehtësim të procedurave të dyfishta në shkëmbimet tregtare, përmes njohjes së ndërsjelltë të vulave të autoriteteve të ushqimit.

Ndërkohë Rama hodhi edhe njëherë poshtë idenë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet