Klubi i mendimit ekonomik

Mbyllet panairi i bujqësisë. Qindra konsumatorë testuan prodhimet vendase bio.

Shije të pakrahasueshme, prodhime bio dhe me cilësi.

Ky është konstatimi i çdo kryeqytetasi, i cili këtë të diel ndjek nga afër ditën e dytë të edicionit të panairit “Shqipëria punon tokën”, në sheshin “Nënë Tereza”.

Gjithkush që ishte në këtë panair, që në orën 10:00 u përball me një fluks shumë të lartë vizitorësh, të cilët të njohur nga raportimet e mediave, shprehën interes shumë të lartë për produktet bujqësore e blegtorale, të cilat u ekspozuan në dhjetra tenda.

Mira është një nga amvisat e shumta, të cilat e vizituan panairin, për të blerë prodhimet bio të ardhura nga malësitë e Gjirokastrës.“Djathi i deles së Gjirokastrës është mrekulli.

Kushton pak shtrenjtë, 1200 lekë kilogrami, por është një djath i pakrahasueshëm me djathin që ne konsumojmë çdo ditë” shprehet ajo, teksa ishte duke blerë në një nga tendat e vendosura në panair.

Ndërsa një i moshuar, i cili gjeti produktin e rakisë së thanës, në tendat e ardhura nga Pogradeci, tha, se prej vitesh nuk e kishte provuar këtë produkt, të cilin për herë të parë e konsumoi kur ishte ushtar në rrethinat e Pogradecit.

“Kam qenë ushtar në Pogradec, atje ku kam provuar për herë të parë raki thane. Më vjen shumë mirë që e gjeta pas kaq kohësh. Madje, mund të them, se shija qenka po e njëjta, çka do të thotë, se përgatitja e saj nuk paska ndryshuar prej dekadash” thekson ai.

Por, mes tendave të vendosura në panair, gjithkush mund të gjente edhe punime artizanale, të cilat përgatiten me shumë mjeshtëri nga artizanë të qyteteve të ndryshme.

I tillë është edhe rasti i Delinës, e cila bashkë me bashkëshortin e saj përgatisin suvenire të formave të ndryshme.

 

Ajo thotë, se shumë çifte të reja kanë blerë për dy ditë me radhë qindra suvenire me dedikime të personalizuara, duke u sjellë atyre fitime të konsiderueshme.

“Unë dhe bashkëshorti përgatisim suvenire të ndryshme, të cilat janë me dedikime të personalizuara. Unë nuk dija ti realizoja, por më mësoi bashkëshorti. Kemi shitur shumë gjatë këtyre dy ditëve, duke përfituar edhe fitime të konsiderueshme” thotë ajo.

Por, kryeqytetasit, kanë mundur që të blejnë edhe produkte të tjera, ndonëse çmimi i tyre ka qenë, sipas tyre, paksa të “kripura”, për vetë faktin, se prodhimet janë bio dhe me cilësi.

“Ne jemi prezantuar me këtë panair me disa gjela deti. Nuk është njësoj gjeli i detit që rritet në fusha me ato që rriten në ambiente të tjera.

Bën më shtrenjtë, por cilësia bën diferencën” tha kështu një mbarështues gjelash deti, i cili kishte një pulari në zonën e Fierit.

Në ditën e dytë të panairit të prodhimeve bujqësore e blegtorale, u sollën për vizitorët shumë gatime tradicionale, të cilat më pas u konsumuan nga vizitorët e shumtë, që u njohën me aromën e prodhimit autokton shqiptar dhe më të mirën e industrisë së përpunimit ushqimor në vend.

Edicioni i dytë i panairit u mbyll mes mijëra blerjeve të konsumatorit kryeqytetas, fitimeve të grumbulluara por edhe ekspozimit të produkteve tipike shqiptare.

Në këtë edicion ishin pjesëmarrës rreth 659 fermerë nga e gjithë Shqipëria, 70 sipërmarrje ushqimore dhe 39 bashki.

Hapësira ekspozuese prej 23400 m2 në zemër të Tiranës është kthyer në arenën më të madhe ekspozuese të produktit, traditës, muzikës dhe kulinarisë shqiptare, ku mjeshtrat e kuzhinës dhe restorantet, do të ofrojnë mundësinë e degustimit të recetave më të spikatura.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet