Klubi i mendimit ekonomik

Shifrat e INSTAT, reagon opozita. Teliti: Rritje në letër, nuk ndihet

Një rritje ekonomike në letër, por jo në xhepat e shqiptarëve. Është ky mendimi i ekspertëve të opozitës, të cilët i konsiderojnë shifrat e INSTAT-it larg realitetit ekonomik të vendit.

I ftuar në A2 Business të Aurora Sulçes, këshilltari për ekonominë i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Dorian Teliti deklaron se rritja ekonomike nuk është as cilësore dhe as e qëndrueshme.

“Janë të dhëna statistikore optimiste, por jo ato që ndjehen. Pra ne kemi një rritje statistikore, por nuk kemi një rritje cilësore. Ajo që u intereson qytetarëve shqiptarë dhe biznesit është se sa rriten ata në xhepin e tyre, pra si performojnë ata, më mirë se një vit më parë apo më keq. Rritja prej 4.3%, pa ndikimin e energjisë elektrike do të ishte vetëm 2 deri në 2.5%, pra e papërfillshme dhe larg potencialit real të vendit.Po të kishim një rritje të strukturuar mbi nivelin 4,5% atëherë do të ndihej dhe do të fillonte të jepte efektin në konsum”, deklaron Teliti.

Këshilltari i PD, vlerëson se problematike për ekonominë është niveli i lartë i borxhit, mungesa e investimeve të huaja pas përfundimit të projekteve madhore TAP dhe hidrocentrali i Devollit, si dhe niveli i lartë i kredive më probleme.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet