Klubi i mendimit ekonomik

Ekonomia rritet me 4.4%. Sektorët që po e mbajnë në këmbë

Ekonomia shqiptare ka shënuar një ecuri pozitive edhe gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, duke regjistruar një rritje pre 4.45% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ka qenë Instituti i Statistikave, i cili këtë të premte ka bërë të ditur dhe raportin më të fundit, ku ka theksuar, se ndikim të madh në rritjen ekonomike ka pasur shitja e energjisë elektrike, industria dhe uji.

Sipas INSTAT-it, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e parë të vitit 2018 vlerësohet me rritje prej 4,45 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2017.

Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Industria, Energjia dhe Uji me +2,42 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,54 pikë përqindje, Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,37 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,30 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,28 pikë përqindje, Ndërtimi me +0,17 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi me +0,11 pikë përqindje.

Sipas Instat, negativisht në ekonominë shqiptare ka kontribuuar aktiviteti i Informacionit dhe Komunikacionit me -0,09 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe te Sigurimit me – 0,04 pikë përqindje.

Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me + 0,39 pikë përqindje.

Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e parë të vitit 2018, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017 shfaqen: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 1,93 %.

Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati rritje me 19,90 %.

Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë Industria Përpunuese dhe Energjia Elektrike të cilat u rritën përkatësisht me 9,55 % dhe 66,44 %. Ndërsa Industria Nxjerrëse shënoi rënie me 3,71 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati rritje me 2,10 %.

Grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 3,75 %, i ndikuar kryesisht nga Akomodimi dhe Shërbimi Ushqimor, i cili shënoi rritje me 19,22 %, si edhe tregtia me pakicë, transporti tokësor dhe ujor.

Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 2,99 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rënie prej 1,16 %.

Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 0,01 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 5,54%.

Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pati rritje me 2.1%.

Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati rritje me 4,30 %. Taksat Neto mbi produktet patën rritje me 3,00 %

Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, INSTAT bën të ditur, se treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 1,15 %.

Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit u shfaq me një rritje prej 0,62 %.

Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit u rrit me 11,55 %.

Aktiviteti i Ndërtimit shënoi një rritje me 0,66 %. Aktiviteti Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 0,90 %. Aktiviteti Informacioni dhe Komunikacioni pësoi një rritje me 3,85 %.

Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati një rënie prej 3,54 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi një rënie me 5,54 %. Grupi Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 1.2%.

Aktiviteti i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me një rënie prej 1.77%.

Aktiviteti i Arte,argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi u shfaq me një rënie prej 4,68 %. Taksat Neto mbi produktet patën një rritje me 2,56 %.

 

PBB sipas metodës së Shpenzimeve Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e parë të vitit 2018, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017 shfaqen si më poshtë: Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 2,97 %.

Konsumi final i qeverisë u rrit me 2,59 %. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 5,43 %.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rriten me 5,02 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 8,21 %.

 

Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, ndryshimet në krahasim me tremujorin paraardhës, shfaqen si më poshtë:

Konsumi final i popullatës pësoi një rënie me 0,29 % me krahasuar me tremujorin e katërt të viti 2017.

Konsumi final i qeverisë u rrit me 1,01 %. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks shënoi një rritje me 2,32 %.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,52 %, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3,30 %.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet