Klubi i mendimit ekonomik

Rural dhe bujqësor nuk është e njëjta gjë! Njësimi i dy koncepteve është populizëm

Opinion nga Dritan Shano, ekonomist

Shqipëria ka fshat dhe fshatarë, por nuk ka bujqësi. Ky është thjesht një fakt demografik, që tregon se jemi ende një shoqëri rurale, por nuk tregon automatikisht se kemi një sektor bujqësor. Fakti që “bujqësia” përbën 20% të GDP, nuk tregon se kemi bujqësi, por thjesht se e gjithe ekonomia tjetër jo-bujqësore shqiptare është një mjerim, një morracakëri e kohëve në të cilat jetojmë.

Në të vërtetë, Shqipëria është importues neto i produkteve ushqimore. Importon edhe qepë. Nga Bosnja.
Çka përflitet si aktivitet bujqësor që zhvillohet në Shqipëri i përket rendit feudal (shekujve 16-19). Në Shqipëri sot që flasim 48% e popullsisë mbijeton në fshat, se nuk ka asnjë vend tjetër ku të shkojë, dhe produkti bujqësor është mbi 20% e GDP. Ne botën moderne në fshat jeton nga 1-10% e popullsisë dhe bujqësia përfaqëson 1-3% të GDP.

Aktiviteti bujqësor në Shqipëri mbetet në nivel subsistence (nga dora në gojë, por jo në treg). Nuk ka një zinxhir vlere në “bujqësinë” shqiptare. Ajo që do të duhej të ishte zinxhir në fakt, (zinxhiri ka disa hallka – prodhuesin, përpunesin, tregtuesin, por edhe kërkuesin shkencor), në mënyrë dominuese ka vetëm një hallkë – fshatarin që shet produkte të papërpunuara, të pa-çertifikuara tek cepi i pronës së vet prej 1.1 hektarë, ose ndanë rrugës, asaj rruge e cila për arsye historike nuk është me baltë por me asfalt.
Fshatarit shqiptar, njësoj si ai operatori turistik që punon vetëm 2 muaj në verë, i duket se kështu do i fitojë të gjitha lekët për atë që ka prodhuar, por ajo që ndodh rëndom është diçka tjetër. I mbeten produktet pa shitur dhe në darkë është gati t’i shesë për 2 lek, mjaft që mos t’i kthejë prapë në shtëpi, ose i kalben dhe i hedh ne kanal; kjo është një situatë që nuk mund të zgjidhet me masa proteksioniste, siç mendje të dobëta artikulojnë.

Po pse e bën fshatari shqiptar kete gje? Mos ka ndonjë dërrasë mangut. Nuk e besoj dhe nuk më rezulton një gjë e tillë. Përkundrazi. Por ai ka kohë me pash, sepse nuk ka asgjë se ç’të bëjë tjetër që nuk lidhet me mbijetesën e vet. Ai nuk e sheh bujqësinë si sektor ku të ndërtojë të ardhmen e vet, por vetëm mbijetesën.

E ardhmja do të kërkonte bashkëpunimin me bashkëfashatarët, me grumbulluesit, me shitësit … Në shumicën e rasteve ai rron në fshat se nuk ka ku të shkojë tjetër. Se bujqësi sot do të thotë që i gjithë Devolli te mbjellë qepë e mollë dhe t’i shesë në Suedi e Danimarkë, jo që të gjithë devollinjtë në tokën e tyre të mbjellin edhe molle, edhe fasule edhe piperka njësoj si në kohë të turkut.

Kjo nuk është bujqësi, kjo është zahire, është kinkaleri. Të hamë njëherë, ç’të teprojë e nxjerrim në shitje. Shekulli i 16, kur dilej në rrugë të shitej teprica. Ndaj, fshatarit tonë të cilit i premtohet subvencion, në përgjithësi nuk i intereson bujqësia moderne.

Por, afërmendsh nuk mund të besoj për asnjë moment se fshatari im është i pazoti të mblidhet fshatçe dhe të arsyetojë për shembull: si i vjen bananja në tavolinë nga Amerika Latine? Që kur e mbledhin fshatarët e atjeshëm, kush e paketon, kush e grumbullon, kush e transporton deri në port, kush e fut në anije, kush përcakton sa jeshile duhet këputur që të vijë pas një muaj rrugë e verdhë në tregun shqiptar, dhe të durojë edhe 1 muaj tjetër pa u prishur etj. etj dhe me të njëjtën logjikë të prodhojë qepë ,dhe ato qepë të shiten në gadishullin skandinav.

Apo të fillojë të përdorë aplikacionet për të fekonduar lopet dhe bagetinë, apo të përcaktojë kur duhet të ujisë dhe kur duhet të prashisë. Apo të çojë fëmijët t’i bëhen agronomë, inxhinierë bujqësorë, të specializohen në përpunimin e produkteve bujqësore etj. Të gjitha këto i di, ka mundësi t’i dijë, dhe nuk i bën. Nuk i interesojnë. Fëmijët i çon në shkollë t’i bëhen jurista, dhe jo agronomë, dhe do Perëndia i del ndonjë fat më i mirë atje. Dhe vetë rri në fshat se nuk ka ku të shkojë, dhe mbledh zahirenë që e ka munduar sa s’ka derisa e ka prodhuar. Çfarë tepron del ta shesë anash rrugës.

Dhe, ndërsa i kalojnë para syve njerëz e makina që nuk ndalojnë t’ja blejnë prodhimin, mendohet me kë parti duhet të jetë që të mund t’i bjerë ndonjë çikë subvencion për pjesë.
Kështuqë, edhe politikat e subvencionit të ndjekura deri tani, janë “politika rurale” , por jo bujqësore. Jo rrallë këto politika pasurojnë ndërmjetësit, por nuk përmirësojnë as te tashmen, le më të ardhmen e fshatarit dhe të bujqësisë.

Këto politika do ishin bujqësore nëse do nxisnin kalimin e bujqësisë nga sektor primar në sekondar e më tej. Në fakt ato nuk kanë qenë të drejtuara tek zhvillimi i një bujqësie moderne dhe produktive, por tek banorët e fshatit (48% e popullsisë votuese), për t’i “ndihmuar” ata të rrojnë pak më mirë. Më shumë se subvencion duket si Ndihmë Ekonomike në favor të fshatarit votues sesa atij “fermer”.

Sot për sot, më shumë se ndonjë politikë zhvillimi, subvencioni në bujqësi duket si një shpresë për të akaparuar votën fshatare, sesa një politikë që çon tek strukturimi i thellë si sektorit bujqësor në këtë vend – ristrukturim që duhet të synojë modernizimin, rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, dhe jo garantimin e mbijetesës dhe ruajtjen e statuskuosë aktuale në të cilën lindin dhe rriten brezat në fshatin shqiptar.(me pak përmirësim të paqëndrueshëm të lidhur me “për kë ke votuar” sesa me rritjen e produktivitetit dhe fitimeve).

Edhe pse ka celular në xhep, fshatari shqiptar e punon tokën dhe fiton prej saj njësoj sikur të ishte bashkëkohës i D’Artanjanit. Subvencionimet e propozuara nuk kanë asnjë shans ta ndryshojnë këtë gje.

Subvencioni është pare xhepi. Kalimi i “sektorit” bujqësor nga ky nivel primar i viteve 1700 në agro-biznes, në bujqësi industriale (monokulture) apo në atë që sot njihet si precision agriculture – dhe që do i pështatej mjaft Shqipërisë – nuk ka ndodhur ende, edhe pse kalendari në Shqipëri shënon Nëntor 2018.

Këto janë sfidat e vërteta për të patur bujqësi në Shqipëri – një bujqësi të lidhur me tregun, me shkencën (me universitetin) dhe që do çonte tek defragmentimi i saj – hollanda dhe izraeli jane shembuj te shkelqyer – nuk ka nevojë të shpikim rrotën.

Prandaj, komisarëve politikë të subvencionit të bujqësisë u këshilloj të mësojnë më parë të paktën Ligjin e Wageningen, dhe pastaj se si rritet vlera ekonomike e produktit bujqësor. Natyrisht, nëse duam të zhvillojmë bujqësinë, dhe jo thjesht të kapim ndonjë votë rurale më tepër.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet