Klubi i mendimit ekonomik

Rruga e Kombit në flakë! Protestuesi tregon përplasjen me policinë dhe cfarë do të ndodhë tani…

Intervistë me Rifat Demalija, protestues, drejtues i “Qendrës për Progres Rinor”, Kukës

 

Për mëse 4 orë, rruga e Kombit u shndërruar në një fushë përplasjesh mes qindra protestuesve, që kërkonin heqjen e taksës dhe policisë. Një protestë që duhet të ishte të ishte paqësore dhe që përfundoi me goditje të ndërsjellta dhe vënie zjarri të sporteleve, ku bëhej pagesa. Një ngjarje që u dënua nga kryeministri dhe u konsiderua një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm nga ministri i Brendshëm. Por cfarë ndodhi sot dhe pse percipitoi protesta? Rifat Demalija është banor i Kukësit dhe njëherazi, drejtues i “Qendrës për Progres Rinor”, Kukës. Ai ka protestuar sot në rrugën e Kombit dhe tregon ngjarjen nga sytë e një protestuesi…

 

Sabina Veizaj, Ekonomix.al

Çfarë ndodhi sot në protestën kundër tarifës për rrugën e Kombit?
Protesta nisi e qetë fillimisht, ndërsa po mblidheshin njerëzit, të organizuar përmes transportit të vënë në dispozicion nga Shoqata e Transportit, nëpërmjet 12 autobusëve dhe të tjerët me makinat e tyre personale. Policia është sjellë korrekte, por njerëzit, turma e tensionuar filloi të afrohej drejt pikës, ku ishte vendosur trau i pagesës. Disa nga organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për protestë paqësore dhe vazhdimin e protestës deri në zgjidhjen e problemit me qeverinë. Ndërsa ka pasur protestues që kanë filluar të hedhin gurë në dretimin e kabinave dhe ndërtesës për pagesën e taksës së rrugës. Në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e specializuara të policisë, të ardhura nga Tirana dhe përkohësisht janë zmbrapsur protestuesit. Por dalëngadalë, pas pak minutash, protestuesit janë afruar përsëri dhe policia është mbrojtur se mos kishte goditje me gurë.
Në fakt, gurët që kanë hedhur protestuesit kanë qenë kundër objektit dhe jo policisë. Por duke qenë se policët ishin afër, ka ndodhur që mund të jenë goditur me gurë, por asnjëherë nuk kanë qenë objekt i dhunës.

 

Nga vinin protestuesit?
Protestuesit kanë qenë kryesisht banorë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Por kemi pasur pjesëmarrës nga Kosova, pavarësisht se disa prej tyre janë penguar të kalojnë kufirin në Morinë. Të tjerë protestues kuksianë, por që banojnë në Tiranë kanë qenë pjesëmarrës.

 

Si nisi përleshja?
E përmenda edhe më sipër, se përleshja ka nisur për shkak se disa protestues, të cilët nuk janë nxitur nga organizatorët, kanë filluar të gjuajnë me gurë objektin, ku është vendosur të mblidhet taksa.

 

Cili është bilanci i protestës, sipas jush?
Si rezultat i dhunës së ushtruar në objektin, që ishte ndërtuar për mbledhjen e tarifës së përdorimit, është dëmtuar plotësisht objekti, janë djegur kabinat dhe të gjitha mjetet e punës për funksionimin e këtij objekti. Ka pasur disa punonjës policie të lenduar lehtë, sikurse edhe protestues të lënduar lehtë nga gurët e njëri -tjetrit.

 

Pse nuk jeni dakord me tarifat e vendosura?
Kjo është një tarifë e padrejtë, sepse banorët e Kukësit nuk kanë asnjë rrugë alternative për të udhëtuar drejt Tiranës. Ne jemi banorët që do ta vuajmë më shumë se askush tjetër. Ne nuk jemi konsultuar dhe nuk është bërë asnjë studim për gjendjen ekonomike të banorëve dhe pamundësinë për ta paguar. Kërkohet një rrugë alternative ose përjashtimi nga taksa e rrugës për banorët e Kuëksit, Hasit dhe Tropojës. Vetëm rrethi i Kukësit ka burime të jashtëzakonshme që shfrytëzohen nga gjithë Shqipëria, sikurse janë burimet hidrike për energji elektrike dhe mineralet. Por nuk merr asnjë investim në këmbim të tyre apo lehtësi, duke mbetur rrethi më i varfër në Shqipëri, ku shpresa për një të ardhme ka humbur dhe të rinjtë po largohen masivisht drejt emigracionit.

 

Si keni menduar t’a vazhdoni më tej kundërshtimin?

Do të presim qëndrimin e qeverisë fillimisht për t’u ulur e për të biseduar sesi mund të gjendët një mundësi, që banorët e Qarkut të Kukësit të përjashtohen nga kjo tarifë përdorimi. Përndryshe, mund të ketë organizime të tjera për ta kundërshtuar këtë taksë.

 

Çfarë zgjidhje propozoni ju si komunitet?
Ne kërkojmë të përjashtohemi nga taksa e rrugës, duke na pajisur me një pullë kalimi/mjet dallues, si banorë të këtij qarku, ose përndryshe, le të ndërtojnë një rrugë alternative sipër tunelit dhe përgjatë autostradës. Zgjidhja tjetër është të hiqet taksa mbi naftën dhe taksa e qarkullimit, që ne i paguajmë për të mirëmbajtur rrugët, në përgjithësi.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet