Klubi i mendimit ekonomik

Rritja ekonomike e përqëndruar, kontributi nga Tirana, Durrësi e Vlora

Tirana, Durrësi dhe Vlora janë tre qarqet që japin kontributin kryesor në rritjen ekonomike të vendit. Instituti i Statistikave ka publikuar Statistikat Strukturore të Ndërmarrjeve, sipas rajoneve. ‘Të dhënat kanë si qëllim të tregojnë zhvillimin dhe strukturën e aktiviteteve ekonomike sipas rajoneve “, thekson INSTAT.

Raporti konstaton se peshën më të madhe në vend, në të gjithë treguesit e njësive lokale e ka rajoni Qendër, i cili përbën 40.8 % të numrit të njësive lokale, 50.9 % të të punësuarve dhe 59.5 % të vlerës së shtuar. Ky rajon ka kontributin më të madh në ndryshimin vjetor të vlerës së shtuar prej 6.4 pikë përqindje, pasuar nga rajoni Veri me 1.5 pikë përqindje dhe rajoni Jug, i cili gjatë vitit 2016 ka dhënë një kontribut negativ me -1.2 pikë përqindje.

Instituti i Statistikave ka detajuar të dhënat edhe sipas qarqeve, ku vlerëson se tre janë kryesorët që ndikojnë në rritjen ekonomike.

“Kontributin më të madh në rritjen e vlerës së shtuar për vitin 2016 e ka dhënë qarku Tiranë me + 6.1 për qind, pasuar nga qarku Durrës dhe Vlorë me + 0.9 për qind secili. Qarku Fier ka kontribuar negativisht në treguesin e vlerës së shtuar me -3.2 për qind, duke u influencuar nga sektori i industrisë nxjerrëse, si aktiviteti kryesor në këtë qark”, vlerëson INSTAT-i.

Të dhënat tregojnë se qarku i Tiranës dhe Durrësit kanë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar, pothuajse në të gjitha aktivitetet ekonomike. Në aktivitetin e industrisë nxjerrëse, qarku Fier ka peshën më të madhe të vlerës së shtuar me 57.4 %, pasuar nga qarku Dibër me 22.0 %. Në aktivitetin e energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimit të mbetjeve, qarku Tiranë dhe Fier kanë peshën më të madhe të vlerës së shtuar, përkatësisht me 37.4 % dhe 11.2 %.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet