Klubi i mendimit ekonomik

Rritja e pagës minimale, Zusi: Populiste, qeveria synon të mbledhë 2 milionë euro më shumë në vit

Biznesi prodhues dhe ai eksportues shprehet kundër vendimit të qeverisë për të rritur pagën minimale nga 24 mijë lekë në 26 mijë lekë. Alban Zusi, kryetar i Qendrës së Eksporteve deklaron se masa është populiste dhe është një tjetër rëndesë për biznesin prodhues dhe eksportues, pas disa vendimmarrjeve të tjera të qeverisë, që po rëndon këtë sektor, që kontribuon në punësim dhe në rritje ekonomike.

“Rritja e pagës minimale është një masë populiste, e orientuar që të mbledhë të ardhura kryesisht nga pjesa e biznesit industrialist dhe eksportuesve, që po mbajnë peshën kryesore të ekonomisë dhe në të njëjtën kohë, janë më të goditurit, si nga rënia e euros, ashtu edhe nga vendimmarrja e fundit e qeverisë për uljen e TVSH-së së produkteve bujqësore të autofaturuara nga 20% në 6%.

Qeveria mund të vendosë rritjen e pagës minimale për buxhetorët, por në një ekonomi tregu, ku bizneset janë në konkurrencë të fortë për të kapur fuqinë punëtore, pagën minimale duhet ta caktojë tregu dhe jo urdhrat e qeverisë.

Më ketë masë, përveçse propagandës, qeveria synon të mbledhë në buxhet 2 milionë euro më shumë në vit”, deklaron Zusi.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet