Klubi i mendimit ekonomik

Rihapet autostrada Tiranë-Durrës, përfundojnë punimet

Pasditen e 4 janarit, autostrada Tiranë-Durrës u bllokua për shkak të punimeve që do të kryheshin, në kuadër të ndërtimit i dy tombinove rrethorë te Kthesa e Rinasit, për përmirësimin e situatës së përmbytjeve.

ARRSH bëri me dije se punimet do të zgjasnin dy javë, që përkon më ditën e sotme. Ndërsa sot është bërë përsëri njoftim se është hapur autostrada Tiranë-Durrës në segmentin rrugor Cassa Italia-Mbikalim Kashar. Qarkullimi normal në të dyja drejtimet ka nisur prej mesnatës së sotme.

“Punimet për vendosjen e tombinove kanë mbaruar. Do të vazhdohet me punimet e tjera plotësuese, por këto nuk do të pengojnë trafikun normal të mjeteve”, thuhet në njoftimin e ARRSH.

ARRSH i kërkon ndjesë përdoruesve të rrugës dhe bizneseve për trafikun e krijuar gjatë këtyre ditëve, duke i falenderuar për mirëkuptimin. Ndërsa tregon se punimet përfunduan para afatit të caktuar, kjo falë punës së kompanisë dhe ekipit të saj.

Gjatë këtyre dy javëve si rrugë alternative janë përdorur rrugët dytësore të autostradës, gjithashtu ARRSH kishte njoftuar se mund të përdoreshin rruga e  Ndroqit apo rruga e Elbasanit.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet