Klubi i mendimit ekonomik

Renta minerare me problemet e saj

Renta minerare deri në vitin 2008 (gusht) ka qenë e zbatuar sipas Ligjit Minerar (7796/1994) në një nivel prej 2% për gjithë grupet e mineraleve. Renta llogaritej mbi vlerën e tregut për sasinë e përgjithshme të mineralit të shitur tek konsumatorët gjatë muajit kalendarik.

Në vitin 2008, niveli i rentës ndryshoi. Ajo u rrit në nivelet e aplikimit nga 4% deri 10% në varësi të tipit të mineralit. Në vitin 2010, nivelet e rentës ndryshuan për kromin, bakrin, mineralet e nikelit, qymyret dhe bitumet, si dhe mineralet dhe materialet e ndërtimit.

Nga një krahasim midis periudhave, kur ka patur ndryshim të përqindjes së rentës (2008 me 2007 e më përpara, si dhe 2010 me 2009 dhe 2008) rezulton se rritja e rentës shoqërohet me ulje të prodhimit të mineraleve të nikelit dhe gëlqerorëve për inerte, qe janë edhe mineralet me peshën më të madhe në volumin vjetor të prodhimit gjithsej të mineraleve në vend.

Ne këtë krahasim te para dhe pas 2008 nuk janë konsideruar efektet qe vijnë nga evazioni, si rrjedhojë e rritjes së rentës apo për arsye tregu, ku tregu i brendshëm që tregtohen disa minerale ka më shumë ndikim nga rritja e nivelit te rentës. Ndërkohë kromi apo bakri, duke u nisur nga ndikimi i kontratave jashtë vendit, si dhe kosto e përballueshme për shitje nuk është ndikuar direkt.

Në krahasimin për periudhat para dhe pas vitit 2010, kur niveli i rentës për mineralet ka ndryshuar për herë të dyte vërehet i njëjti ndikim, si edhe me ndryshimet që patën nivelet e rentës për minerale te ndryshme. Për mineralet që eksportohen shikohet se renta nuk ka ndikim në volumin e prodhimit. Megjithatë minerali i bakrit është ndikuar nga ulja e çmimit në tregjet ndërkombëtare dhe ka dhënë ndikim direkt në volumet e prodhimit.

Në dallim nga mineralet që eksportohen, mineralet që tregtohen brenda vendit kanë një ulje të volumit të prodhimit të deklaruar. Arsye të forta për t’u konsideruar janë evazioni, si dhe ndikime të ndryshimit strukturor të tregut dhe prodhimit vendas të materialeve të ndërtimit.

Ndryshimet e nivelit të rentës për vitin 2016 preken grupin e mineraleve të qymyrëve dhe bitumeve dhe grupin e mineraleve dhe materialeve të ndërtimit. Numri i punonjësve gjithsej në industrinë minerare, duke u bazuar te deklarimet e shoqërive rezulton të jetë deri ne 5.600 punonjës.

Industria e kromit zë peshën kryesore në tregun e punës të sektorit me 64% (3.560 punonjës) dhe në nxjerrje dhe tregtim gurë gëlqerorë e pllaka janë kontingjenti i dytë me peshë në sektor, me 17% (955 punonjës). Ndërkohë, në industrinë e bakrit dhe Fe-Ni së bashku punësohen 455 punonjës dhe mbajnë një peshë në sektorin minerar me 8%. Nëse marrim në konsideratë nivelin në masën 35% të evazionit në fuqi punëtore, atëherë numri gjithsej nuk kalon më shumë se 7.500 punonjës.

Megjithëse llogaritjet orientojnë një opinion për tregun e punës në sektor, një analizë midis vendeve të punës reale sipas skemave teknologjike dhe bashkëpunimit me shoqëritë për rritjen e formalizimit do të ndikonte në rritjen e potencialeve për përfitim nga fonde dhe grante për zhvillimin e sektorit.

Me kontrollet e nisura për formalizimin do të duhej të analizohej inventari i pronave, detyrimeve, kërkesave për arkëtim dhe tregues të tjerë financiarë, me qëllim dialogimin me bizneset për mënyrën dhe kohën e formalizimit të plotë dhe me hapa të qartë të aktivitetit të tyre. Duke konsideruar ndikimin nga ulje-ngritjet e çmimit ndërkombëtar për kromin dhe bakrin, efektet në buxhet nga renta minerare ne 2017 mund të jenë më të ulta nga parashikimi buxhetor.

Efektet negative nga renta minerare ne 2016 u ndjenë, duke rezultuar me një mosrealizim deri te gjysma e rentës se planifikuar për t’u mbledhur nga buxheti. Nëse konsiderojmë edhe faktin e minierave të mbyllura që kanë qenë prodhuese të bakrit dhe kromit, si dhe luhatje të tjera të strukturës së operatorëve, atëherë parashikimi për të përfituar nga renta mbi prodhimet e kromit, bakrit dhe nikeleve nuk kanë kontribuar ne buxhet, ashtu si pritet prej disa vitesh.

Ndryshimi i rentës ne fund te 2015 dhe mungesa e ndryshimeve për te rikthyer regjimin e mëparshëm te rentës minerare përbën një cënim dhe detyrim për t’u dëmshpërblyer ndaj gjithë kontratave që ndikohen nga taksa të reja për prishje të klauzolës së stabilitetit.

Vendosja e rentës në vlerë mbi njësi si është parashikuar në buxhetin 2016 dhe paketën fiskale që shoqëron atë, krijoi probleme të diferencimit të mineralevve ndaj njeri-tjetrit duke i vendosur operatorët në kushte të pabarabarta konkurence (produktet kanë tregje të ngjashme, p.sh. Rërë bituminoze me zhavorr bituminoz).

Në tërësinë e analizës mbi situatën e rentës minerare dhe industrisë që duhet të ketë një nxitje fiskale për te gjallëruar sektorin duket se mungon lidhja midis politikës fiskale për rentën nga njëra anë dhe proceseve industriale dhe tregu kombëtar dhe ndërkombëtar për mineralet që kanë peshë në prodhimin e brendshëm.

Ministria e Financave duhet të zhvillojë dhe finalizojë sa më shpejt dialogun teknik dhe fiskal me Ministrinë e Energjisë, por edhe dialog në Komisionin AD-HOC të përbashkët për të reflektuar nevojat e industrisë dhe për të nxitur investimet në sektor.

Qendra për studimin e taksave, AL-Tax

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet