Klubi i mendimit ekonomik

Rënia e euros, eksportuesit dhe tregtarët tregojnë humbjet në miliona

Angelo Haruni, Ekonomix.al

Biznesi në Shqipëri po vuan zhvlerësimin e euros. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane është shkëmbyer sot me 134.5 lekë, duke humbur me 0.11 lekë kundrejt fundit të javës së kaluar. Në harkun kohor të një viti, valuta europiane ka humbur gati 8% të vlerës së saj, duke fshirë një pjesë të fitimeve të kompanive që eksportojnë jashtë shtetit.

Alban Zusi është një prej eksportuesve që ka humbur jo pak nga dobësimi i euros. Ai llogarit se një trend i tillë ka fshirë milionë euro të ardhura në ekonominë shqiptare, para që nuk shkojnë më drejt investimeve.

“Këto të ardhura të munguara kompensohen me mungesën e investime, mungesën e hapjes së vendeve të reja të punës, me mungesën e rritjes së pagave për punonjësit në industritë eksportuese. Kjo do të thotë edhe më pak hapësira dhe mundësi për brezin e ri, të cilin ne duam ta mbajmë brenda vendit.

Gjithashtu reflektohet në rënien e kredimarrjes nga bizneset, pasi një biznes që ka humbur 10-12% të të ardhurave krahasuar me dy vite më parë padyshim heziton për të marrë kredi”, shprehet Zusi.

Zhvlerësimi i euros ka prekur edhe sipërmarrësit më të vegjël, përfshirë ata që importojnë mallra nga jashtë vendit. I tillë është edhe rasti i Seldi Zenelaj, i cili prej 14 vitesh menaxhon një biznes pajisjesh elektronike.

“Rënia e euros nuk do të thotë që mund t’i shesim produktet më lirë. Ne jemi të detyruar që të mbajmë në euro çmimet e produkteve që importojmë.

Dhe më pas këto të ardhura në euro shkojnë si riinvestim për të blerë sërish produkte nga Europa, pasi nëse e konvertojmë në lek do të dalim me humbje”, deklaron Zenelaj.

Sipas sipërmarrësve, euro më e dobët ka ndikuar edhe në rënien e konsumit nga qytetarët, të cilët mes parave që dërgojnë emigrantët dhe pagave në valutë të huaj, kanë më pak të ardhura për të shpenzuar.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet