Klubi i mendimit ekonomik

Raporti për korrupsionin, OSBE reagon: Shqetësuese, Shqipëria po bën hapa mbrapa

Raporti i fundit i organizatës, “Transparency International” e rendit Shqipërinë në vendin e 99-të nga 180 shtete që i janë nënshtruar matjes së shkallës së korrupsionit, për vitin 2018.

Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria është përkeqesuar me tetë vende, duke u renditur e 99-ta në mes 180 vendet që vëzhgon raporti dhe e fundit në Evropë, ndërsa një it më parë ishte në vendin e 91-të. Tashmë Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar i rajonit.

“Mungesa e progresit në luftë kundër korrupsionit mbetet një nga problemet më serioze që ndeshet në shumë vende të botës, duke dobësuar sistemet demokratike dhe duke dobësuar kështu besimin e qytetarëve në proceset demokratike. Prirja negative në rastin e Shqipërisë është edhe më shqetësuese, pasi përmbys përmirësimin e dukshëm në perceptimin e korrupsionit mes viteve 2013 dhe 2016”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së Ambasadori Bernd Borchardt.

Në një shkallë nga 0 në 100 – ku 0 tregon korrupsion të lartë dhe 100 mungesën totale të korrupsionit, Shqipëria është vlerësuar me 36 pikë në vitin 2018. Mesatarja e përgjithshme botërore është 43 pikë, ndërsa mesatarja e Evropës është 66 pikë, që tregon një diferencë të madhe të Shqipërisë me vendet europiane.  

Si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendi ynë është përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit me pesë pikë, duke lëvizur nga 31 sa kishte në vitin 2013 në 36 në vitin 2018. Megjithatë ajo ka shënuar rënie për dy pikë në krahasim me vitin e kaluar- sipas Transparency International I cili pret rezultate të tjera në të ardhmen.

“E shohim me shqetësim perceptimin e përmbysur për korrupsionin në Shqipëri”, tha Borchardt. “Rezultatet e indeksit tregojnë se Shqipëria duhet të vijojë së reformuari sistemin e institucioneve të saj publike, i cili perceptohet si më i korruptuar sesa dy vjet më parë”.

Ambasadori Borchardt  theksoi po ashtu rolin që mund të luajnë qytetarët edhe shoqëria civile në këtë drejtim: “Qytetarët shqiptarë duhet ta refuzojnë dhe denoncojnë korrupsionin pranë organeve qeveritare. Po ashtu, shoqëria civile duhet ta monitorojë vazhdimisht jetën publike në vend dhe të raportojë rregullisht sa i përket çdo çështjeje lidhur me korrupsionin, duke e mbajtur këtë temë në qendër të vëmendjes së publikut, si dhe duke mbështetur zhvillimin e legjislacionit, institucioneve dhe ekspertizës së fushës”.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreh keqardhjen që prirja pozitive që ekzistonte prej vitit 2013 e më tej u përmbys në 2017-ën dhe u përkeqësua më tej në vitin 2018. Ne mbetemi të përkushtuar që ta mbështesim Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, tha në fund Borchardt.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet