Klubi i mendimit ekonomik

Rama nuk tërhiqet. Paralajmëron një tjetër rrugë me pagesë

Pas rrugës Durrës-Kukës, një tjetër segment rrugor do të bëhet me pagesë. Kryeminstri e ka deklaruar këtë nga Vlora, ndërsa në rrugën e Kombit me qindra protestues përlesheshin me policinë dhe iu vinin zjarrin sporteleve. Rruga e dytë me pagesë do të jetë ajo Kashar – Rrogozhinë – Vlorë.
“Kemi mundësi të fillojmë me projektin Kashar – Rrogozhinë – Vlorë, në mënyrë që lidhja të bëhet direkte dhe aty do të synojmë një tjetër skemë. Pra, kemi skemat e Parteneriteti Publik Privat, këtu do të kemi skemën e buxhetit dhe aty do të kemi skemën e pagesës. Pra, me një rrugë me pagesë që t’i mund të vish nga Tirana në Vlorë për gjysmën e kohës që vjen sot. Kush do të paguajë, paguan, kush s’do të paguajë kalon vazhdon jetën siç bën sot. Kjo është rruga”, deklaroi Rama.

Premtohet hapja e aeroportit të Kukësit
Ndërsa kuksianët po protestonin kundër taksës së rrugës së Kombit, kryeministri u ka premtuar atyre hapjen së shpejti të aeroportit. “Shumë shpejt do të hapet aeroporti i Kukësit. Qeveria ka nisur negociatat. Nuk do të ketë të njëtin profil me Vlorën. Do të jetë një aeroport shumë më i vogël por do i shërbejë, sipas studimit do i shërbejë një hapësire shumë të rëndësishme shqiptare dhe është një aeroport i garantuar me një fluks të lartë pasi do të mbulojë të të gjitha fluturimet me Anglinë, Zvicrën, Gjermaninë, me zona ku ka shumë shqiptarë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, edhe shqiptarët e Kosovës do e kenë shumë më të lehtë të përdorin aeroportin e Kukësit për të shkuar në Kosovë, si rezultat i cmimeve që do të jenë shumë më të ulëta. Sepse sipas kryeministrit, do të jetë specifikisht një aeroport i çmimeve të ulëta.

Aeroporti i Kukësit ka vite që ka përfunduar, por ende nuk është vënë në shfrytëzim.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet