Klubi i mendimit ekonomik

Qeveria po lufton kumarin apo po krijon monopole?

Opinion nga Aurora Sulce, Drejtore e Ekonomix.al

Personalisht jam pro heqjes së lojërave të fatit nga qendrat e qyteteve. Por ajo që më bën skeptike është mënyra që ka zgjedhur qeveria për ta bërë këtë, si dhe momenti, kur po ndërmerret një nismë e tillë.

Largimi fizik i pikave të basteve apo aktiviteteve të tjera të kumarit nuk e ul varësinë e njerëzve ndaj tyre, përderisa ky është edhe qëllimi, në emër të së cilit qeveria paralajmëron se do ta ndërmarrë një veprim të tillë. Kjo pasi të gjithë mund të luajnë on line.

Kryeministri njoftoi heqjen e këtyre bizneseve nga qytetet, por deri më tani nuk ka bërë publik asnjë mekanizëm sesi do të frenojë lulëzimin e këtij aktiviteti online.

Pasi, një ndërhyrje e tillë nga ana e qeverisë, në dritë të diellit, krijon kushtet e përshtatshme për të zhvilluar monopol në këtë treg, duke e sjellë atë nga rrugë drejt e në shtëpitë e shqiptarëve. Në këtë rast, monopolet janë dyfish më të rrezikshme për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare sesa bastet tek pika e rrugës. Për këtë, qeveria deri më tani nuk ka folur.

Vendimi i kryeministrit për ndërhyrjen në këtë fushë më kujtoi një lëvizje të ngjashme, por me kah të kundërt, që është ndërmarrë po nga kabineti  i tij në gusht të vitit 2016.

Në atë periudhë qeveria rriti taksën për blerjet on line, për të frenuar boom-in e këtij aktiviteti, që po rrezikonte seriozisht me faliment qendrat tregtare.

Përpara rritjes së taksës, volumi i dërgesave me postë u rrit me 130%, ndërsa sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, transaksionet bankare arritën në mbi 120 mijë në muaj. Qeveria rriti taksën dhe i frenoi blerjet on line.

Sot po ndodh e njëjta dukuri në thelb, por me kah të kundërt. Gjithashtu, mekanizmi që po përdoret nuk është ai fiskal, por një ndërhyrje direkt për largimin e këtyre bizneseve nga rruga, cka automatikisht krijon kushtet për monopol on line. Aty ku i intereson, qeveria jep monopol, aty ku nuk i intereson, iu heq të drejtën.

Elementi i dytë që më bën skeptike është koha, kur po lancohet kjo nismë. Në qershor janë zgjedhjet vendore dhe qeveria ka nisur tashmë fushatën zgjedhore, fillimisht me turet e bashkëbisedimit me qytetarët e tan,i duke luajtur një tjetër kartë populiste, që e ka përdorur edhe në të shkuarën me sukses: atë të luftës kundër kumarit.

Të gjithë kujtojmë aksionin “Fundi i marrëzizë”, që marrëzizë nuk i dha fund, por përkundrazi, e bëri edhe më të cmendur.

Që prej 2013 kur u shpallë me bujë kjo ndërhyrje e deri më tani, tregu i lojërave të fatit jo vetëm nuk është tkurrur, por pothuajse ka dyfishuar qarkullimin e parave.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në vitin 2012  xhiro vjetore e kompanive të lojërave të fatit vlerësohej në rreth 9.1 miliardë lekë. Në fund të vitit të 2017, ajo arriti në 15.2 miliardë lekë, me rritje mbi 6.1 miliardë lekë.

Qeveria jo vetëm nuk i ka luftuar lojërat e fatit për të mbrojtur shoqërinë, por përkundrazi, ato janë majmur në një terren të përshtatshëm.

Për arsyet e mësipërme, qeveria ka humbur sot moralin, por edhe besimin se mund të jetë kundër tyre. Ose të paktën jo për qëllimin, me të cilin është deklaruar!!!

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet