Klubi i mendimit ekonomik

Qëndrimi i FMN-së për detyrimet e prapambetura, Teliti: Këmbanë alarmi, të shlyhen brenda vitit

Qëndrimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, sa i përket çështjes së detyrimeve të prapambetura, konsiderohet nga ekspertët si një këmbanë alarmi, që duhet dëgjuar nga qeveria, e cila me urgjencë duhet t’i shlyejë ato brenda këtij viti.

I këtij mendimi është Dorian Teliti, ekspert i çështjeve ekonomike në Partinë Demorkatike, i cili teksa analizon rekomandimet e dhëna këtë të martë nga FMN thotë, se i janë bërë të njohura qeverisë dhe publikut, por deri tani nuk janë dëgjuar dhe marë në konsideratë. “Shqetësimi i FMN-së mbi praktikat Partneritet-Publik-Privat(PPP), nuk është lajm i ri.

Qëndrimi i FMN-së i është bërë me dije politikës dhe publikut prej shumë muajsh tashmë, shqetësime të cilat opozita i ka ngritur që ditën e parë të ndërmarrjes së kësaj iniciative të gabuar nga ana e qeverisë dhe të dëmshme në kurriz të financave publike.

Siç konstatohet, jemi përballë dështimit të qeverisë në implementimin e strategjisë për moskrijimin e detyrimeve të prapambetura, për të cilat duhen marrë masa urgjente për likuidimin e tyre brenda vitit 2018” thotë Teliti.

Duke u ndalur tek pasojat e PPP-ve, ofertave të pakërkuara apo detyrimet e prapambetura, Teliti thekson, se ekziston mundësia që në të ardhmen buxheti të përballet me risqe si në kahun e të ardhurave ashtu edhe në kahun e shpenzimeve, si pasojë e vlerës së tyre të plotë prej mbi 2 miliardë euro dhe faktit që nuk janë të bazuara në analiza dhe studime të plota fizibiliteti.

“Ato janë këmbana alarmi për mirë-manaxhimin e buxhetit, pasi mundësia që në të ardhmen të përballemi me risqe si në kahun e të ardhurave ashtu edhe në kahun e shpenzimeve është mjaft e lartë, si pasojë e vlerës së tyre të plotë prej mbi 2 miliardë euro dhe faktit që nuk janë të bazuara në analiza dhe studime të plota fizibiliteti.

Me rritjen gjithnjë e më shumë të detyrime kontraktuale të PPP-ve, të ardhura kryesisht nga propozime të pakërkuara, po rëndojnë gjithnjë e më shumë arkën e shtetit, duke zvogëluar edhe ato pak hapësira që ka buxheti për të ndërmarrë politika lehtësuese dhe incentivuese me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe financimit të sektorëve prioritare.

Gjithashtu, rritja gjithnjë e më shumë e detyrime të prapambetura, të cilat aktualisht vlerësohen të jenë rreth 240 milionë dollarë (1.5% të PBB-së), po rëndojnë gjithnjë e më shumë “shëndetin e ngrysur” të bizneseve shqiptare, duke cënuar edhe ekzistencën e disa prej tyre” thekson ai.

Këtë të martë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë alarmin ndaj projekteve të Partneritetit Publik Privat, ofertave të pakërkuara si dhe detyrimeve të prapambetura.

Ishte përfaqësuesi i misionit të FMN-së në vendin tonë, Jan Kees Martijn i cili në një konferencë të përbashkët për median bashkë me Ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, theksoi, se ekonomia shqiptare ka shumë për të bërë për të qenë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Ai theksoi se qeveria duhet të zbatojë reforma strukturore në mënyrë që të dekurajojë emigracionin e lartë, përmirësimin e klimës së biznesit, reformat në shtetin ligjor dhe luftën ndaj korrupsionit.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet