Klubi i mendimit ekonomik

Punonjësit e sektorit të turizmit, Tatimet-biznesit: Regjistrojini ose penalitete

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka bërë thirrje subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e turizmit, që të regjistrojnë të gjithë punonjësit që marrin gjatë sezonit turistik, pasi në të kundërtën, ata do të përballen me penalitete.

Tatimet thonë, se nuk do të lejohet mbajtja e punonjësve në periudhë prove apo shfrytëzimi i studentëve për punë, duke siguruar, se në fokus të punës së saj nuk është ndëshkimi dhe zbatimi i penaliteteve, por ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për të zbatur me korrektësi detyrimet që lindin nga zbatimi i legjislacionit në fuqi.

“Të gjithë tatimpaguesit, të cilët do të punësojnë punonjës të rinj duhet të deklarojnë ata të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës në zbatim të nenit 119 të Ligjit nr.9920,datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Paga minimale për efekt të llogaritjes së kontibuteve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është 24.000 lekë/muaj. Theksojmë se, në asnjë rast nuk parashikohet në legjislacionin në fuqi marrja e punonjësve në periudhë prove, që do të thotë se ju duhet të deklaroni të gjithë personat që angazhohen për te ofruar punën e tyre qoftë edhe ne kohë prove.

Gjithashtu, detyrimi për përfshirjen në skemën e sigurimeve shoqërore është edhe për studentët, të cilët punësohen në subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në sektorin e turizmit.

Kujdes! Studentët trajtohen njësoj si të gjithë të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj ose më shumë se 87 orë pune në muaj (e sqaruar si më lartë)” thuhet në njoftimin për shtyp të Tatimeve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku që në nisje të sezonit turistik ka kërkuar nga subjektet më tepër vëmendje, për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar me kohë të plotë apo të pjesshme.

Në raste konstatimi të sheljes së ligjit, tek tatimpaguesi i biznesit të madh gjoba llogaritet në 200,000 lekë dhe nëse është tatimpagues i biznesit të vogël, atëherë penaliteti është 50.000 lekë.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet