Klubi i mendimit ekonomik

Protestë në rrugën e Kombit kundër taksës. Konfrontime me policinë, iu vihet flaka sporteleve

Prej orës 10:40 të ditës së sotme, qindra protestues janë mblodhën tek Rruga e Kombit për të kërkuar heqjen e tarifës së kalimit. Ata kundërshtojnë këtë taksë, me argumentin se nuk kanë mundësi të paguajnë, për shkak të nivelit të lartë të varfërisë dhe papunësisë. “Me shku me pi një kafe për mort kuksianët duhet të paguajnë 10 euro. Kuksianët punojnë për 500 lekë në ditë. Si t’i paguash? Të vdes xhaxhai në Tiranë. Me të vdek xhaxhai është 10 euro të shkosh të paguash vetëm me shku me pi një kafe”, shprehet një prej protestuesve.
Si një ndër qarqet më të varfëra në rang vendi, banorët e Kukësit, thonë se tarifa prej 5 euro për të kaluar tunelin e Thirrës është shumë e shtrejtë. “Penalizuar është vetëm Kukësi, askush tjetër”, shprehet një tjetër protestues. Në Bashkinë e Kukësit, rreth 6 mijë familje trajtohen me ndihmë ekonomike, deri në 4 500 lekë, ndërsa 4 700 persona janë të papunë.
Qytetarët thonë se kjo tarifë do ta përkeqësonte gjendjen e tyre, ndërsa tregtarët paralajmërojnë rritje çmimesh. Pagesa për rrugën e Kombit nisi të aplikohet të mërkurën, ndërsa tarifat variojnë nga 2.5 euro për motorë, në 5 euro për makina e vogla e deri në 22.5 euro për kamionët e mëdhenj.
Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të largohen. Ata kanë kërkuar që të vijë një përfaqësues i qeverisë për t’i premtuar që do të hiqet tarifa. Ndërkohë rradha e automjeteve, që presin të lëvizin sa vjen e bëhet më e gjatë.

 

Përshkallëzimi i protestës
Protesta e banorëve të Kukësit nisi paraditen e sotme. Fillimisht protestuesit u përplasën me policinë, e cila u përpoq të mbronte sportelet, ku bëhet pagesa për kalimin e rrugës. Me skafandra në duar dhe me shkopinj gome, ata u përpoqën t’i ndalonin për t’i afruar tek trau. Pati përplasje me protestuesit, të cilët qëllonin me gurë.
Një kordon policie u mundua fillimisht të pengonte protestuesit t’i afroheshin traut. Në këto momente, pati konfrontime mes policisë dhe protestuesve, me gurë e shkopinj gome. Më pas, policia u vendos kordon pranë traut për të penguar dëmtimin e vendit, ku bëhet pagesa.

Por edhe kjo masë nuk i frenoi protestuesit. Ata i vunë flakën sporteleve, ku paguhej tarifa e kalimit të Rrugës së Kombit. Protestuesit kanë hequr trarët, kanë shkatërruar dhe goditur me mjete të forta strukturën metalike, si dhe i kanë vënë zjarrin disa kabinave aty afër, si infrastrukturë ndihmëse.

Rama: Dhunuesit e frymëzuesit e protestës do të marrin përgjigje
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e sotme në Rrugën e Kombit, ku protestuesit i vunë flakën dhe dëmtuan strukturën, ku makinat paguanin tarifën e kalimit. “Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin!”, ka shkruar Rama në një status në facebook.

Ndaj situatës në rrugën e Kombit ka reaguar edhe Presidenti i Republikes, Ilir Meta. Ai shprehu shqetësim për situatën e krijuar dhe keqardhje për personat e lënduar gjatë protestës. Kreu i Shtetit bën thirrje për evitimin e dhunës, për vetëpërmbajtje, dialog e mirëkuptim, me qëllim normalizimin e situatës dhe kthimin e lëvizjes normale të automjeteve dhe qytetarëve në pritje.

Bilanci i protestës
Protesta në rrugën e Kombit përfundoi pas rreth 4 orësh. Protestuesit u shpërndanë, duke deklaruar se nuk do të lejojnë vendosjen sërish të sporteleve të pagesës së taksës së rrugës. Ndërkohë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj doli në një konferencë për shtyp, ku bëri bilancin e situatës. “Asnjë e drejtë e pretenduar nuk mundet të justifikojë, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, sulmin kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkatërrimin e pronës. Janë lënduar 12 punonjës të FNSH-së nga gurët dhe sendet e forta të hedhura nga këta individë, ndërsa një punonjës policie është plagosur më rëndë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital”, deklaroi Xhafaj.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet