Klubi i mendimit ekonomik

Protesta e studentëve, reagon Rama: Maskarada s’do devijojë rrugën e nisur

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës së studentëve, e cila ka ndryshuar rrjedhë, pasi nuk po zhvillohet më në rrugë përballë kryeministrisë, por  një pjesë e studentëve janë “ngujuar” në fakultetin e Drejtësisë e të tjerë në atë të Ekonomikut, ndërsa mësim sërish nuk është zhvilluar.

Kryeministri Rama shkruan në Twitter se prindërit dhe studentët ankohen për pengimin e dhunshëm të mësimit.

“Përbuzje për politikën që fshihet pas këtij agresioni të papranueshëm ndaj Universitetit. Kjo maskaradë s’do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët. Universitetet kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit të gjitha listat e studentëve që do të përfitojnë mbështetjen tonë financiare, sipas Vendimit të Qeverisë. Ministria e Financave ka nisur sot punën për të realizuar alokimin e fondeve në çdo universitet, student për student”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë njofton se ditën e nesërme është gati për prezantim publik portali i Programit të ri Kombëtar të Punësimit në administratë të studentëve më të mirë

“Ky program është një nga risitë e reflektimit mbi protestën, i cili na çoi shumë përtej 8 kërkesave. ‘Qentë le të lehin, ne do shkojmë së bashku përpara’”, mbyllet postimi i Ramës.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet