Klubi i mendimit ekonomik

Protesta e studentëve arrin deri në Parlamentin Europian, ja çfarë bëjnë shqiptarët në Bruksel

Një grup shqiptarësh, të cilët prej vitesh jetojnë në Bruksel, i janë bashkuar studentëve të universiteteve në vend, duke bërë apel nga Parlamenti Europian, që kërkesat e tyre të zgjidhen.

Ata janë bërë bashkë, duke protestuar përpara godinës së Parlamentit Europian, në përpjekje për të çuar atje zërin e bashkëmoshatarëve të tyre, të cilët prej 7-ditësh kanë braktisur auditoret dhe janë derdhur në sheshe, për plotësimin e kërkesave të tyre.

Denisa Nela, një e re  nga Kukësi, thotë, se qëllimi i protestës së organizuar përballë godinës së PE-së, është përçimi i zërit të të rinjve shqiptarë, të cilët duhet të paguajnë vlera të larta për studimin, duhet të jetojnë në godina krejtësisht të amortizuara, ndërsa i bën apel Qeverisë që të dëgjojë zërin e tyre.

“Prej 5 ditësh vëllezërit dhe motrat tona studentë në Shqipëri po protestojnë për të drrejtat e tyre më minimale, por që janë të privuara dhe nëpërkëmbur nga  një sistem korruptiv i qeverisjes universitare, qeveritare dhe asaj  politike të cilët  po i marin  frymën në cdo ditë  popullit, vendit dhe  ekonomisë.

Është koha  që të  zgjohemi dhe  të  mbështesim  studentët, për gjithçka ato  kërkojnë si një domosdoshmëri jetike  për të ardhmen” thotë Nela.

Protesta studentore këtë të hënë ka hyrë në ditën e saj të shtatë.

Si çdo ditë, grumbullimi i studentëve nis nga sheshi “Nënë Tereza” nga ora 08:30 deri në 09:30 e më pas do të vazhdojë marshimi drejt Ministrisë së Arsimit.

Sot, kryeministri Edi Rama ka ftuar studentët në një bashkëbisedim live në Facebook në orën 11:00, ku ka ripërsëritur ftesën për dialog, por studentët vijojnë të refuzojnë, duke i kërkuar pranimin e 8 kërkesave të tyre.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet