Klubi i mendimit ekonomik

Presidenti i KE-së, Junker: Ju inkurajoj, por negociatat varen nga ju. Rama: Në BE para Serbisë

Presidenti i Komisionit Europian, Jean- Claude Juncker  dha mesazhet e tij për popullin shqiptar dhe politikbërjen, pas disa orë qëndrimi  në vendin tonë, në kuadër të turit të tij ballkanik. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Junker vlerësoi ecurinë e deritanishme të reformave dhe inkurajoi vazhdimin e tyre, si e vetmja mundësi që Shqipëria të realizojë hapjen e negociatave dhe ëndrrën e saj të integrimit në Bashkimin Europan. “Konstatoj se Shqipëria nuk pushon së akumuluari progres, ka bërë shumë reforma impresionuese, progresi është mbresëlënës. Nëse vijon kështu, KE do të rekomandojë hapjen e negociatave. Nuk kam ardhur për të bërë premtime boshe, por vetëm mund të inkurajojë Shqipërinë që të vijojë reformat, sidomos në luftën kundër krimit, vetingut dhe organizimit të gjykatave. Do të jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin. Mbështesim Shqipërinë edhe në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perendimor. Rikonfirmoj se vendi i Shqipërisë është në gjirin e Bashkimit Europian”, ka deklaruar Junker.

Kryeministri Rama garantoi zyrtarin e lartë të Brukselin për vazhdimin e reformave dhe u shpreh optimist për hapjen e negociatave dhe integrimin e Shqipërisë në BE së bashku ose përpara Serbisë, vend që komentohet se ka bërë hapa më të shpejtë se Shqipëria në këtë proces. “Vendosmëria jonë mbetet e palëkundur sepse vetëdija jonë është se reformat e integrimit nuk janë të domosdoshme se na i kërkon Brukseli, nuk janë të detyrueshme se na i kërkon Brukseli, por janë të domosdoshme dhe të detyrueshme se i kërkon Shqipëria dhe është borxhi që i kemi gjeneratës tjetër. Ky është një proces unikal i pazëvendësueshëm për shtetbërjen dhe funksionimin e institucioneve demokratike në vendin  tonë. Për ne, integrimi në BE nuk është një udhëtim për të shkuar gjetkë, por është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë europiane këtu në vendin tonë. Më vjen mirë që u sqaruar edhe fakti që është apo jo Serbia përpara Shqipërisë në rrugën e integrimit. Unë ju garantoj se në rastin më të keq, ne do të anëtarësohemi në të njëjtën kohë me Serbinë në BE dhe në rastin më të mirë, përpara Serbisë”, deklaroi Rama.

Vizita e Presidentit të Komisionit Europian, Jean- Claude Juncker  në Shqipëri është pjesë e një turi që ai do të bëjë në vendet e Ballkanit Perëndimor, pas publikimit të strategjisë për zgjerim. Të hënën në mëngjes, Junker do të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe me përfaqësues të tjerë politikë. Vizita e presidentit të Komisioni Evropian ka për qëllim nxitjen dhe avancimin e axhendës integruese të Shqipërisë. Pak ditë më parë u publikuar edhe Strategjia e Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Në të nuk u përcaktua një datë për çeljen e negociatave, por u theksua se nëse vendet vijojnë plotësimin prioriteteve, vitit 2025 është i mundshëm për anëtarësim.

 

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet