Klubi i mendimit ekonomik

PPP edhe në 2019, qeveria heq dorë nga oferta e pakërkuar

Flutura Tota, Ekonomix.al

Dhënia e projekteve të ndryshme përmes skemës së Partneritetit Publik Privat do të vijojë edhe në vitin 2019.

Lajmi konfirmohet nga vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, i cili këtë të martë, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ka thënë gjithashtu, se qeveria do të heqë dorë nga oferta e pakërkuar.

” Synimi ynë i qartë është, që të menaxhojmë risqet e kontratave me PPP. Mund të them, se numri i koncensioneve ka rënë, ndërkohë që ne do bëjmë amendimin e ligjit të koncensioneve. Ne mendojmë, se më e mira është, që të hiqet mundësia e Ofertës së Pakërkuar në shumë sektorë, Shëndetësi, Infrastrukturë, Energji, Mjedis, Arsim, kudo në çdo dikaster.  Në mesin e vitit 2019 do ketë vetëm oferta të kërkuara” tha Ahmetaj.

Duke komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për klimën e biznesit në vend, Ahmetaj tha, se është punuar dhe se po punohet për përmirëismin e saj, por për të, Reforma në Drejtësi mbetet çelësi kyç për thithjen e investimeve, vendase e të huaja, por edhe sigurinë e të bërit biznes.

“Reforma në Drejtësi është çelësi i thithjes së investimeve vendase e të huaja. Ky raport, është një thirrje për ata që nuk e duan reformën, që ajo të vijojë dhe të forcojë shtetin ligjor në drejtësi” tha ministri Ahmetaj.

Ai theksoi, se gjatë këtij viti, në vend ka pasur 284 milion euro investimeve të huaja, vlera e të cilave deri në fundvit do të arrijë në 980 milion euro.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet