Klubi i mendimit ekonomik

Plani i qeverisë për sigurinë ushqimore, Peleshi: Masat si siguri kombëtare

Siguria ushqimore do të trajtohet si një element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, pasi ka lidhje me jetën dhe shëndetin e shqiptarëve. Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka dhënë këtë mezash për opinionin publik, duke zbardhur edhe detaje të planit të msasave të qeverisë, që synon rritjen e sigurisë ushqimore në vend, një problem që shqiptarët e vuajnë tashmë prej dekadash.

“Siguria ushqimore po trajtohet me seriozitetin që ligji e kërkon, se është një komponent i sigurisë kombëtare. Për këtë arsye kemi hartuar një plan në kuadër të cilit, bashkëpunojmë në mënyrë shumë efektive dhe dua ta falenderoj Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, por edhe Shërbimet e Inteligjencës, për shkak se siguria ushqimore edhe sipas ligjit, është një komponent i sigurisë kombëtare”, deklaroi Peleshi.

Ministri i Bujqësisë argumentoi se qasja e re me biznesin ushqimor nuk synon masa represive, por iu jep mundësinë që të vetëkorrigjohen. E thënë ndryshe të marrin të gjitha masat për të prodhuar në mënyrë të sigurtë për konsumatorët. “Nuk është se jemi duke ndërmarrë masa represive për të zënë në befasi ata që deri dje, një lloj të drejte morale e kane pasur të mos jenë 100% brenda kuadrit apo standardeve ligjore, për shkak se shteti shpeshherë ka munguar. Por ju kemi dhënë atyrë mundësinë që të vetkontrollohen, duke iu bërë të njohura standardet përmes checklist-ave të çdo operatori dhe pastaj mbas vetkontrollit, mbas paralajmërimëve dhe kohës në dispozicion për t’u vetpërmirësuar, natyrisht masat e zbatimit të ligjit do të jenë pa kompromis, pa tolerancë, sespe nuk mund të bëhet tolerancë me sigurinë ushqimore. Ka lidhje me jetën, ka lidhje me shëndetin e konsumatorit shqiptar”, u shpreh Peleshi.

Kreu i bujqësisë apeloi qytetarët që të denoncojnë raste të shkeljes së sigurisë ushqimore, siç ishte rasti i gjetur një ditë më parë në Shkodër, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, mbështetur edhe nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor evidentoi një aktivitet që prodhonte në mënyrë të paligjshme prodhime ushqimore, që është një shkelje e rëndë flagrante dhe e natyrës penale.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet