Klubi i mendimit ekonomik

Peshkimi udhëheq bujqësinë, rritje 34.6% këtë vit. Prodhimi me rritjen më të ulët

Ky vit po rezulton i mbarë për bujqësinë. Ministria e Bujqësisë ka publikuar të dhënat për ecurinë e degëve të këtij sektori gjatë këtij viti. Nga statistikat rezulton se eksportet bujqësore për 9-mujorin 2018 kanë shënuar një rritje prej 9.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Me rritje rezultojnë të gjithë artikujt. Por performancën më të mirë e ka shënuar sektori i peshkimit me 34.6%, blegtoria me 11.8%, agroindustria me 8.7% e ndjekur më pas nga bujqësia me 3 %.

“Në zërin bujqësia, e cila megjithëse renditet e fundit, vëmë re se disa nga artikujt e saj kanë shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me 9 – mujorin e 2017. Kështu, patatja është dyfishuar në krahasim me 9-mujorin 2017, domatja ka një rritje prej 2.1%.

Zëri perime të tjera si qepë, presh, hudhra dhe zarzavate të tjera djegëse, sallatë marule dhe cikore, kastraveca etj, në total kanë shënuar një rritje me 6.3%, e përkthyer në vlerë monetare nga 1.4 miliard lekë në 1.5 miliard lekë në 2018. Po ashtu, dhe eksporti i frutave, ku dhe këtu bëjnë pjesë artikuj me potencial eksporti si luleshtrydhja ka shënuar një rritje prej 35%”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Ekspertët e këtij dikasteri bëjnë të ditur se një pjesë e mirë e këtyre artikujve janë pjesë e shportës së 15 artikujve të përzgjdhur si potenciale të larta eksportuese. “Kjo shportë u kompozua në bazë të kritereve, që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen dhe me masën e punësimit dhe që u bë publike në Konferencën Kombëtare të Bujqësisë”, shpjegon ministria.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet