Klubi i mendimit ekonomik

Përtej ndihmës ekonomike, të varfërit e Tiranës

Angelo Haruni, Ekonomix.al

Gjergji është 50 vjeç dhe çdo ditë del në rrugët e Tiranës për të shitur librat e tij. Prej 27 vjetësh  pëpiqet që të ushqejë familjen me këtë punë që e ka sajuar vetë. Disa vite më parë, librat i shiste në një kioskë. Tashmë ajo është zëvendësuar me bordurën, ku shpërndan me kujdes librat dhe ekspozon titujt e shumtë.

T’ia dalësh mbanë, nuk është e lehtë. Përkundrazi, çdo ditë bëhet më e vështirë. “Rëndësi ka mbijetesa”, tregon Gjergji, duke shtuar se nuk ka turp për punën që bën, pasi është më me dinjitet se mos të bërit asgjë.

“Njerëzit do të bëjnë çdo lloj pune derisa të kenë mundësi. Nuk duhet të refuzojnë asnjë lloj pune për të mbijetuar”, shprehet ai

Gjergji nuk është i vetëm në varfërinë e tij. Si ai ka me mijëra familje, në kushte edhe më të vështira. Nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura dhe presin me sytë nga qeveria për ndihmën ekonomike. Një skemë që sipas vlerësimeve të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ka dështuar, duke mos i ndihmuar familjen të dalin nga pragu i varfërisë.

Qeveria nuk ka përcaktuar minimumin jetik dhe jo pa qëllim. Në fakt, asnjë qeveri nuk e ka bërë deri më tani. Kjo pasi përcaktimi i minimumit jetik do të evidentonte qartë se kush konsiderohet i varfër dhe ekzekutivi do të ishte i detyruar ta përfshinte në skemën e ndihmës ekonomike.

Ekspertët shpjegojnë se skema është e përkohsshme dhe duhet të nxisë të gjithë ata që përfitojnë, për të gjetur punë dhe siguruar të ardhura më të larta dhe më të qëndrueshme.

“Qëndrimi në ndihmën ekonomike është i përkohshëm, deri në 5 vjet, nuk mund të qëndrojnë më shumë. Gjithashtu, që familjet të mbeten në skemë duhet të kenë vullnet për punë. Në momentin që kanë një apo dy oferta për punë, atëherë vihet në dyshim qëndrimi në skemë. Skema nuk është më një skemë vegjetative dhe e pafund siç ka qenë më parë, por është një skemë e përkohshme”, deklaron Kosta bajraba, eksperti për çështjet sociale.

Një ndër konkluzionet e dhimbshme të KLSH-së është se vetëm 4% e atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike arrijnë të futen në tregun e punës.

Qeveria jep rreth 20.5 miliardë lekë në vit për skemën e ndihmës ekonomike, një fond që nuk ka ndryshuar ndër vite pavarësisht rritjes që pëson buxheti. Shuma ka mbetur e njëjtë që prej vitit 2016 dhe pritet të mos ndryshojë edhe në buxhetin 2019.

Ndërsa fonde nuk janë dhënë më shumë, ajo që ka ndodhur, është përjashtimi nga skema i shumë familjeve, si një mënyrë që ata që mbeten, të përfitojnë disa qindarka më shumë. Aktualisht, ndihmë ekonomike përfitojnë rreth 70 mijë familje në të gjithë vendin.

Qeveria parashikon uljen e këtij numri në 67 mijë në tre vitet e ardhshme. Një dukuri që ka ndodhur vazhdimisht edhe në vitet e fundit, ku me mijëra familje kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike në bazë të një sistemi pikëzimi, për kriteret që duhet të përmbushnin.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet