Klubi i mendimit ekonomik

Përplasja për buxhetin 2019, Mziu: Kamza si Belshi, Ahmetaj: Mblidhni taksën e pronës

Buxheti i vitit 2019, që do të shpërndahet për 61 bashkitë në vend, ka bërë bashkë këtë të premte ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe drejtuesit vendorë në një dëgjesë të posaçme.

Ahmetaj ka deklaruar, se në krahasim me një vit më parë, buxheti për bashkitë është rritur me 11%, por një pjesë e drejtuesve vendor, duket se nuk janë të kënaqur me “copën” që ka përcfaktuar qeveria për teritoret që administrojnë.

I tillë është edhe kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, i cili ka deklaruar, se Kamza është barazuar me Belshin, për vlerën e parave që i janë vendosur në dispozicion, me këtë projektligj, që pritet të shkojë edhe në Kuvend për miratim.

Xhelal Mziu ka akuzuar pushtetin qendror për diskriminim të bashkive që drejtohen nga përfaqësuesit e zgjedhur nga opozita.

“Bashkia Kamëz ka marrë zero lekë për mirëmbajtjen e rrugëve, zero lekë për shërbim zjarrfikës, por edhe për pyjet” ka thënë Mziu.

Por Ahmetaj reagoi duke thënë se ‘Bashkia Kamëz e ka 7 për qind rritjen e fondeve grand. Pra, jemi në rritje të konsiderueshme. Kjo tryeze nuk i shmanget politizimit”.

Ahmetaj është ndalur edhe tek mbledhja e taksës së pronës, proces që sipas tij do të monitorohet nga pushteti qendror, ku theksoi, se janë 600 mijë prona të detajuara në Shqipëri, por qëllimi është që të identifikohen edhe 600 mijë të tjera, me qëllim regjistrimin dhe taksimin e drejtë mbi bazën e sipërfaqes.

“Taksa mbi pronat është burim i rëndësishëm për buxhetet tuaja. E ndërsa deri tani ka qenë larg përgjegjësisë suaj, tani është e juaja. Nëse janë sot 600 mijë prona të detajuara do të duhen edhe 600 mijë të tjera që të detajohen, që të mos i taksoni qytetarët me një nivel metri standard, pasi mund ti bëni dëm buxhetit dhe qytetarit. Decentralizimi është shumë i rëndësishëm” tha Ahmetaj.

Ahmetaj u ndal edhe tek detyrimet e prapambetura të bashkivem të cilat sipas tij, duhet të mblidhen nga pushteti lokal, ndërkohë që theksoi, se burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5 miliardë lekë ose 11 % më shumë se ato të vitit 2018, të cilat do të shkojnë për më shumë investime dhe përmirësime të shërbimeve publike.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet