Klubi i mendimit ekonomik

Përcaktohen kriteret për “Agroturizmin”, ja si përfitohen 200 milionë lekë dhe 200 mijë euro

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka përcaktuar kriteret e përfitimit të statusit “Agroturizëm”, përmes të cilit fermerët mund të përfitojnë mbështetje financiare nga ky dikaster dhe projketi i IPARD i Bashkimit Europian.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, gjatë një takimi me banorët e Njësisë Administrative Voskopojë, ku ka prezantuar modelin e fshatit të së nesërmes.

“Agroturizmi është një lloj turizmi, që është i lidhur me bujqësinë apo blegtorinë, pra me fermën bujqësore apo blegtorale. Ne kemi bërë një status të veçantë për agroturizmin. E kemi përcaktuar se kush quhet “agroturizëm”. Siç e thashë, një strukturë akomoduese me të paktën 6 dhoma, me një restorant, me një fermë bujqësore, ose fermë blegtorale, nga komisioni në Ministrinë e Turizmit, aplikon dhe merr statusin e agroturizmit. Nga ky moment, më këtë status ne japim 200 milionë lekë nga Skema kombëtare dhe deri në 200 mijë euro nga IPARD-i si grant”.

Peleshi ka shprehur kënaqësinë që është pikërisht Voskopoja, eksperimenti i parë i realizuar me sukses, që jep shpresë për finalizimin sa më të shpejtë, për një projekt shumë ambicioz me një vizion tërësisht evropian, siç ai i modelit të fshatit të së nesërmes.

Këtu jemi në Voskopojë, në qendrën e Njësisë Administrative Voskopojë, e cila ka qenë modeli, jo për zonën, jo për Bashkinë, por për gjithë Shqipërinë. Voskopojën ne e përmendim në të gjithë Shqipërinë, në gjithë takimet me zonën rurale, në të gjithë vendin, sepse këtu ka filluar dhe do ta them pse ka filluar dhe jo ka mbaruar, eksperimenti i parë për të ndërtuar modelin e fshatit shqiptar të së nesërmes. Model zhvillimi do të thotë që ky fshat duhet të fillojë të rrezatojë dhe ta çojë zhvillimin e vet dhe në fshatra të tjera“.

Ai theksoi, se dhënia e impulseve për ngritjen e kapaciteteve akomoduese dhe njerëzore në agroturizëm, përmes financimit prej 200 milionë lekë nga Skema kombëtare dhe deri në 200 mijë euro grant nga IPARD-i do të çojë në fuqizimin e ekonomisë rurale të zonës, e cila do të japë ndikimin e saj në gjithë ekonominë shqiptare.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet