Klubi i mendimit ekonomik

Pasuritë e shqiptarëve në euro

Pranë bankave tregtare në Shqipëri rezultojnë të jenë të depozituara 3.66 miliardë euro. Shifra i përket nëntorit të vitit 2017 dhe është e fundit që Banka e Shqipërisë disponon. Ajo që vihet re nga të dhënat zyrtare është një rritje e depozitave në monedhën europiane, çka tregon preferencën ende të fortë të qytetarëve dhe bizneseve për euron. Kjo pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financave dhe institucioneve të tjera për uljen e kësaj varësie dhe deurozimin e ekonomisë.
Depozitat në euro të shqiptarëve kanë pësuar rritje të vazhdueshme. Edhe pse e dhëna për 2017-ën nuk është e plotë, pasi mugon statistika për dhjetorin, qartazi dallohet tendenca në rritje. Kështu, sipas përllogaritjeve, krahasuar me të gjithë vitin 2016, totali i depozitave në monedhën europiane deri në nëntor 2017 rezulton 3 milionë euro më shumë, ndërsa kundrejt vitit 2015, rritja vlerësohet në 46 milionë euro.
Depozitat përbëjnë kursimet e deklaruara. E thënë ndryshe, pjesën zyrtare të pasurisë së bizneseve dhe qytetarëve. Në miliona euro vlerësohen edhe investimet e tyre në tregun e pasurive të patundshme, një sektor që gjithashtu i kryhen të gjitha transaksionet në monedhën europiane, si në blerje ashtu edhe shitje. Por vlera e saktë e këtyre investimeve është e pamundur për t’iu përllogaritur, për shkak të problemeve të tregut të pasurive të patundshme, por edhe mungesës së përcaktimit të vlerave të tij, gjë që pritet të bëhet me kadastrën fiskale brenda këtij viti.

TOTALI I DEPOZITAVE NË EURO NË SISTEMIN BANKAR
(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Dhjetor 2015 3.2 miliardë euro
Dhjetor 2016 3.63 miliardë euro
Nëntor 2017 3.66 miliardë euro

DEPOZITAT E REJA NË EURO
(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Dhjetor 2015 919 milionë euro
Dhjetor 2016 854 milionë euro
Nëntor 2017 678 milionë euro

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet