Klubi i mendimit ekonomik

Pabarazia dhe numërimi mbrapsht për ekonominë

Analizë nga qendra e studimeve, Altax

 

Sot, 1.200 miliarderë në botë mbajnë fuqinë ekonomike që është e barabartë me një të tretën e madhësisë së ekonomisë amerikane. Në Shqipëri, më pak se 2% e popullsisë zotërojnë një pasuri që është e barabartë me gjysmën e pasurisë dhe parasë në vend.
Edhe në qoftë se ju e konsideroni pabarazinë në të ardhura një efekt natyror të njerëzve që janë të ndryshëm, dhe madje edhe në qoftë se ju nuk shihni ndonjë gjë të keqe në dallimet sociale të mprehta që vijnë prej pasurisë së akumuluar në fare pak njerëz nëpër botë sot, në fakt shqetësimin më të madh duhet ta ruani në lidhje me pabarazinë, sepse ajo është sëmundja më e keqe për ekonominë.
Nëse numri i njerëzve, të cilët fitojnë të ardhura minimale mujore është duke u shtuar, atëherë padyshim që ky është një efekt që ndihet te shpenzimet mujore që nuk rriten, por ndoshta bien. Ky fakt nuk i shërben as nxitjes së rritjes ekonomike.

Organizata për bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim vlerëson se rritja e boshllëkut të të ardhurave në botën e zhvilluar ndikuan me 4.7% në rritjen e PBB midis viteve 1990 dhe 2010.
Studiuesit e fenomenit të pabarazisë duke modeluar ekonominë sipas ‘kurbës së Paretos’, kanë arritur në konkluzionin se rritja e sasisë së likujditeteve në zotërimin e pak njerëzve nuk mund të nxiti ekonominë, pasi ajo bazohet më së shumti në transaksionet e tregut të lirë.
Ka të ngjarë që koha e sotme kërkon arkitektë të rinj për të ridizenjuar kapitalizmin dhe rregullat e tregut edhe për një periudhë të ardhme. Përndryshe mundet që trarët e rrënuar të sistemit të fillojnë të mos mbajnë dot edhe për shumë, pavarësisht se vala e madhe e krizës duket se ka kaluar.
Nëse paratë nuk zotërohen nga një shumicë njerëzish dhe përqendrohen në formën e pasurisë dhe parave në duart e një pakice, atëherë
thjesht disa njerëz të pasur nuk mund të kompensojnë dot në asnjë moment sasinë apo volumin e transaksioneve që mund ta kryejnë shumica e njerëzve.
Duke qenë se pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave rritet, e kanalizon paranë në duart e më pak njerëzve, ky realitet e bllokon mundësinë e shkëmbimeve në treg dhe ul volumin e qarkullimeve midis sektorëve të ekonomisë. Në këtë situatë të krijuar, ekonomia ngrin, sepse burimet financiare (d.m.th. paratë) përqendrohen në duart e pak njerëzve.
Realiteti social dhe ekonomia në vend thonë që ky rrezik i është afruar më afër se kurrë në këto tre dekadat e fundit. Hendeku midis njerëzve është duke u rritur, por pa u shoqëruar me zhvillimin e duhur ekonomik. Rritja ekonomike dhe normat e produktivitetit janë në nivele të ulta që nuk garantojnë dot krijim vende pune të reja deri në nivelet që të përballohet fuqia e aftë për punë, por as për të rritur më tej investimet kapitale.
Faktorët që lidhin nivelin e lartë të pabarazisë me krizën ekonomike apo rënien e ritmit të rrijtes janë të fshehur pas nivelit të pagave dhe produktivitetit të ekonomisë.

Për shumë kohë rritja e pagave nuk ka kaluar përtej murit të inflacionit duke ndjekur në linjë paralele vetëm këtë trend. Por, kjo politikë ekonomike ka krijuar një periudhë të gjatë të ruajtjes së një niveli konsumi të qëndrueshëm, por jo të garantuar për të ardhmen dhe aq më pak për rritje të tij.
Duke u përqëndruar të ardhurat në duart e një elite të vogël financiare, jo vetëm që do të sjellë deflacionin, por kjo situatë gjithashtu çon në situata më të rrezikshme që i bën bizneset të mësuara me pasurim të shpejtë të kërkojnë në vijimësi investime me rikthim të shpejtë fitimi dhe vjen shpejt dita kur ekonomia fillon të jetojë një gjendje amoku.
Nëse shoqëria jonë do të vazhdojë të jetojë në një situatë, ku një grup njerëzish të lidhur mes njëri – tjetrit dhe që zotërojnë gjithë pushtetet së bashku do të vazhdojnë të pasurohen me ritme edhe më të shpejta, do të vijë një moment që do të fillojë të vetë shkatërrojë gjithë ekonominë, duke filluar numërimin mbrapsht.
Nëse nuk frenohet oreksi që sa vjen e po shtohet te një pakicë e njerëzve, atëherë duhet të bëhemi gati që të jetojmë të njëjtën histori shqiptare që e kemi parë më shumë se një herë këto tre dekadat e fundit.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet