Klubi i mendimit ekonomik

Opozita kundër buxhetit 2019. Tabaku: Varfëron shqiptarët, pasuron klientët e qeverisë nëpërmjet PPP-ve

Opozita ka braktisur komisionet parlamentare, ku sot ka nisur diskutimi i buxhetit 2019, draftit më të rëndësishëm të financave publike. Por nga selia blu, nënkryetarja e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, deputetja demokrate Jorida Tabaku ka kundërshtuar ashpër projektin e qeverisë, me argumentin se varfëron shqiptarët dhe pasuron klientët e qeverisë nëpërmjet koncensioneve.

“Ky është një buxhet që shoqërohet me 40 milionë USD taksa më shumë për shqiptarët dhe me rritje të borxhit publik, që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, e ka kaluar 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përfshirë faturën e koncesioneve.

Nga janari 2014, kur Edi Rama bëri buxhetin e tij të parë dhe deri më sot,  shqiptarët kanë paguar 5 miliard taksa më shumë, duke bërë që jetesa për ta  të jetë më e shtrenjta në Ballkan, ndërsa të ardhurat nga më të ulëtat”, ka deklaruar Tabaku.

Nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë ka argumentuar se buxheti 2019 nuk sjell më shumë para në xhepat e shqiptarëve, por i varfëron ata nëpërmjet pagesave që do të bëjnë për koncensionet.

“Buxheti 2019 është buxheti që ul të ardhurat për shumicën dhe i rrit ato për pakicën. Në këtë buxhet është parashikiar një shifër rekord, 100 milionë euro, për faturën e konçesioneve dhe PPP-ve korruptive”, u shpreh Tabaku.
Sipas opozitës, buxheti trajton në mënyrë qesharake sektorët bazë të ekonomisë, si arsimi dhe bujqësia, ndërsa lë pas dore të varfërit.

“Buxheti 2019 është i pamëshirshëm me më të varfrit, me më të pamundurit, duke larguar përfundimisht dhe zyrtarisht nga skema e ndihmës ekonomike rreth 40 mijë familje.  Një vit më parë qeveria premtoi fondin prej 10 milionë dollarë për rritjen e pagave.
Por shqiptarët nuk do ta shohin rritjen derisa të vijnë zgjedhjet, një skemë e dalë boje që dëshmon vullnetin e qeverisë për të përdorur çdo burim për të ndikuar votën”, ka deklaruar Tabaku.

Sipas Partisë Demokratike, qeveria në buxhetin 2019 ka përgjysmuar fondet për shtresën e ish-të përndjekurve politikë dhe që nuk parashikon asnjë lehtësi për biznesin.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet