Klubi i mendimit ekonomik

Flet Guxholli: Nuk ka vend për gëzim, rritja ekonomike nga faktorë rastësorë

Opinion nga Suzana Guxholli, eksperte ekonomie, pedagoge në universitetin e New York-ut

 

Instat sapo ka publikuar të dhënat e 3 mujorit të parë të vitit 2018 të krahasuara me ato të një viti më parë, për të njëjtën periudhë 3 mujore.

Sipas Instat, ekonomia ka një rritje, konkretisht PBB është rritur me 4,45% ku mëse 50% e kësaj rritjeje vjen nga sektori i energjisë. Në këtë sektor kryeson rritjen energjia elektrike me exporte në rritje tremujore ndaj 3 muajve të parë të 2017- ës prej 66,4%, pasuar nga industria, energjia dhe uji me rritje prej 19,9%.

Po ashtu kontribut të ndjeshëm në rritjen e exporteve kanë dhënë dhe exportet e naftës dhe mineraleve.

Ndërkohë ndërtimi dhe gazsjëllësi TAP kanë kontribuar në rritje me 19,22% .

Kontributi i TAP ka qenë nga investimi i huaj direkt stacionin e kompresorëve Fier dhe neë shtrimin e tubave në lumenj.

Shifrat janë pozitive por duhet parë tendenca e tyre, pra krahasimi  duhet bërë dhe i shtrirë në kohë afatmesëm e afatgjatë, për të kuptuar se ky efekt është i qëndrueshëm apo njëherësh e rastësor.

Duke analizuar faktet me keqardhje duhet pranuar që:

Rritja vetëm në sektorin energjitik nuk dëshmon një rritje ekonomike sistemike, të qëndrueshme, por rastësore, rreshjet e mëdha që i sjell natyra apo zoti, që mundësojnë eksporte të shumta e menjëhershme, ndryshe nga vjet që qe thatësirë. Pra krahasimi i exporteve në një sezon thatësire me ato të një sezoni me rreshje tropikale, nuk kanë domethënie të vërtetë ekonomike, por rritje rastësore, që në këtë rast është pozitive për ekonominë, por e është momentale, pa vazhdimësi. Dhe kjo rritje është pjesa kryesore më shumë se gjysmë e rritjes në sektorin e energjisë që ka kontributin kryesor në këtë rritje ekonomike.

Po ashtu vazhdohet rritja e eksporteve nga shitja e naftës e mineraleve që vjen si rrezultat i rritjes se çmimit në bursë, dhe ky faktor i jashtëm e që nuk dëshmon rritje të ekonomisë reale, por përsëri një rritje rastësore, jashtë zhvillimeve ekonomike të brendshme.

Optimistët politikë, nënvizojnë faktin që forcimi i lekut duhet të kish gotitur eksportet, ndërsa në fakt ato kanë shënuar rritje.

Nuk ka asnjë efekt të çuditshëm këtu dhe gjithashtu kjo nuk dëshmon pavërtetësinë e deklaratave dhe pohimeve të ekonomistëve dhe eksportuesve, në lidhe me sektorin e exporteve si sektori i biznesit më i goditur momentalisht.

Të thuash u rriten eksportet s’ke thënë asgjë, se më parë ose më tej, duhet analizuar cilat eksporte janë rritur dhe cilat janë tendencat e zhvillimit të degëve përkatëse dhe shkaqet e rritjes gjithashtu.

Në sektorin e energjisë rritja vjen nga shkaqe natyrore apo tregu që s’kanë lidhje me sjelljen e mirë të ekonomisë apo reformave në të. ( nuk mund të mos falenderojmë, fatin apo zotin për këtë fakt dhe gëzojmë pasojat e përkohshme, padyshim).

Dihet që çmimet e naftës, mineraleve, energjisë, janë jashtë ndikimit qeveritar, po ashtu shtimi e energjisë elektrike është punë natyre apo zoti dhe të vjen e ikën nga s’e pandeh.

Referuar, projektit TAP, si fluks investimesh të huaja direkte apo sektorit të ndërtimeve qofshin publike a private, janë përkatësisht, të njëhershme, pra gazesjellësi e dha efektin e tij, pothuaj përfundimtar, ndërsa ndërtimet ulen e rriten sipas sezoneve elektorale, që japin efektet me vonesë faze.

Edhe nëse ka rritje eksporti në industrinë përpunuese apo të fasonit, pasojat në ekonominë reale, nuk janë të dëshirueshme sepse ka rritje në sasi të fluksit të eksporteve kur ka goditje negative tek bizneset përkatëse.

Kjo si pasojë e forcimit të lekut, faktor që ul shumë fitimet e tyre duke rritur kostot ndaj të ardhurave në euro, investimet e tyre, punësimin në sektorët përkatës, të ardhurat reale të punonjësve të këtyre sektorëve të bazuar në eksporte në zonë euro, (si zonë predominuese sepse në këtë zonë zhvillohet rreth 4/5 e tregetisë sonë).

Pra ulja e fitimit nga rritja e kostove të bizneseve eksportuese dëmton në fakt ekonominë dhe kur fluksi i eksporteve është në rritje.

Në ekonominë e brishtë shqiptare, jokonkurruese, jo  e diversifikuar, jo produktive, krahasuar me vendet me të cilat ka raporte ekonomike, rritja e sasisë së eksporteve me një monedhë lek kaq të forcuar së fundmi, nuk është aspak një tregues pozitiv.

Po ashtu dhe rritja e importeve, nxitur nga leku i forcuar, dëmton dhe dekurajon prodhimin vendas, duke e konkurruar me kostot më të ulura të importit, që mundëson bizneset importuese të ulin çmimet, duke zvogëluar pjesën e këtyre të fundit në treg.

Prandaj deklaratat euforike të shifrave rastësore, duhen shoqëruar me analiza të shumëpërmasore, për të parë e vlerësuar realisht gjëndjen e ekonomisë shqiptare dhe të vetë shqiptarëve.

Të thuash që ekonomia rritet, kur në fakt xhepat e individëve zbrazen, e papunësia largon trurin dhe të rinjtë nga vendi, është të ngopesh me lugën bosh.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet